ISIS merr autorësinë e sulmit në Melbourne

06/06/2017 00:00

Shteti Islamik mori përsipër autorësinë e sulmit në Melbourne të Australisë, ku një person u vra dhe 3 agjentë mbetën të plagosur.

Efektivë të armatosur rëndë mbërritën në një bllok apartamentesh të hënën, pas raportimeve për një shpërthim dhe gjetën një burrë të vdekur në holl.

Një tjetër person, i identifikuar si Jakub Khayre, ishte armatosur me pushkë dhe mbante peng një grua brenda një apartamenti. 29-vjeçari Khayre kishte telefonuar një televizion lokal, për t’i thënë se po vepronte në emër të Shtetit Islamik.

Isis mori përsipër autorësinë në faqen e tij të internetit “Amaq”, por policia tha se ende nuk ka prova që të vërtetojnë koordinimin mes tyre. Tre efektivë u plagosën gjatë shkëmbimit të zjarrit me vrasësin, ku edhe mbeti i vrarë ky i fundit.

Gruaja e marrë peng shpëtoi e palënduar. Shefi i policisë së Victorias, Graham Ashton tha se viktima, që ishte një punonjës i godinës, gjendej në vendin dhe momentin e gabuar. Autoritetet po përpiqen të zbulojnë nëse Khayre, një qytetar australian i lindur në Somali, e kishte tërhequr policinë në lagjen e pasur Brighton, me qëllimin për t’u përballur me të.

“Ne ende nuk e dimë nëse kjo që ndodhi ishte diçka e planifikuar, apo nëse ishte një vendim i improvizuar. ISIS nxiton gjithmonë të marrë përsipër autorësinë, sa herë që ka ndonjë sulm të tillë”, tha Graham Ashton.

Ai shtoi se Khayre kishte qenë në fokus të një hetimi për organizimin e mundshëm të një sulmi në kazermat e Sidnejit, por ishte shfajësuar nga akuzat. Siç mësohet, i riu kishte një sfond të gjatë kriminal dhe ishte liruar me kusht pas një dënimi për një akuzë tjetër vitin e kaluar.

Top Channel