Eurozona, frikë nga zgjerimi. Asnjë kandidat nuk përmbush kriteret

05/06/2017 00:00

Pas tronditjes nga themelet, që u shkaktua nga kriza financiare dhe problemet me Greqinë, udhëheqësit e Eurozonës po tregohen të kujdesshëm me zgjerimin e saj.

Komisioni Europian dhe Banka Qendrore Europiane janë duke i verifikuar me shumë kujdes, vendet që duan të bëhen pjesë e unionit monetar, kriteret e rrepta të të cilit nuk përmbushen aktualisht nga asnjë prej shteteve kandidate: Bullgaria, Çekia, Kroacia, Hungaria, Polonia, Rumania dhe Suedia.

Debati i madh përqëndrohet te fakti se, kushtet nuk i plotësojnë që të gjitha as vet disa prej vendeve tashmë anëtare të zonës së monedhës së përbashkët.

Komisioneri i BE-së për Financat, Pierre Moscovici mendon se, deri në vitin 2025, pjesë e Eurozonës duhet të jenë bërë të gjithë anëtarët e bllokut europian. Kjo i qetëson disi aspiruesit, që shpresojnë nga reformat e reja dhe ndihma për aderimin.

Bullgaria uron të ketë ndihmën e Gjermanisë, Rumania është në pritje dhe ka hequr dorë zyrtarisht nga qëllimi që të anëtarësohej deri në vitin 2019. Kryeministri Sorin Grindeanu deklaron se, krahas konvergjencës monetare, duhet siguruar edhe ajo e pagave.

“Kalimi në Euro mund të bëhet, nëse të ardhurat në Rumani janë të krahasueshme me ato të vendeve të BE-së”, thotë ai. Ekspertët nuk e shohin problemin rumun thjesht te hendeku i të ardhurave, por edhe te zhvillimi strukturor i vendeve.

Dallimet e mëdha mes veriut dhe jugut të Eurozonës dëshmojnë qartë, sipas tyre, nevojën e reformave urgjente. Të vështirë e ka edhe Kroacia, që dëshiron të hyjë në zonën e Euros brenda 5 viteve, por shifrat, sidomos deficiti buxhetor mbi 3% dhe borxhi shtetëror 80% e GDP-së, nuk e ndihmojnë aspak.

Top Channel