Terrorizmi godet në Londër, 7 viktima nga incidentet me furgon e thika

04/06/2017 00:00

Britania e Madhe goditet sërish. Plot 7 persona mbetën të vdekur dhe të paktën 48 të tjerë u plagosën, në incidentin e radhës terrorist në ishull, këtë herë në Londër, aty ku 3 agresorë u qëlluan për vdekje nga policia.

Gjithçka nisi me një furgon të bardhë që mori përpara këmbësorët në “London Bridge”, rreth orës 22 të mbrëmjes së djeshme, me orën lokale, përpara se 3 personat të dilnin në rrugë dhe të godisnin me thikë njerëzit pranë tregut “Borough”.

Policia njoftoi se 3 agresorët mbanin veshur veshje të rreme kamikazi. Njëri prej të plagosurve është oficer policie, i cili pësoi plagë nga mjeti i ftohtë prerës pasi shkoi në ndihmë të qytetarëve. Megjithatë, plagët nuk ia rrezikojnë atij jetën.

Konservatorët në Britani kanë pezulluar fushatën për zgjedhjet e përgjithshme, ndërsa kryeministrja do të kryesojë një takim të Komitetit qeveritar të Emergjencave të quajtur “Cobra”, më vonë gjatë kësaj të diele.

Theresa May i përshkroi zhvillimet e mbrëmjes së të shtunës si “të frikshme”, ndërsa udhëheqësi i laburistëve, Jeremy Corbyn i quajti “brutale dhe shokuese”.

Kryebashkiaku i Londrës, Sadiq Khan tha se ai ishte “një sulm i qëllimshëm dhe frikacakësh ndaj londinezëve të pafajshëm”, por shtoi se Londra mbetet “qyteti më i sigurtë në mbarë globin” dhe se londinezët nuk duhet të përulen përpara terrorizmit.

Më shumë se 80 mjete të emergjencave u dërguan në vendngjarje dhe të plagosurit, disa prej të cilëve në gjendje kritike, janë duke marrë trajtimin e duhur mjekësor në 5 spitale të kryeqytetit britanik.

Ndihmëskomisioneri i Policisë Metropolitane, Mark Rowley tha se aktualisht besohet se ishin vetëm 3 agresorë të përfshirë dhe se veshjet me eksplozivë që mbanin të veshura ishin të rreme. “Jemi duke e trajtuar këtë incident si terrorist dhe po kryhet një hetim i plotë”, shtoi ai.

Ky është sulmi i tretë terrorist që godet Britaninë e Madhe në 3 muaj, pas sulmit me makinë dhe thikë në “Westminster” në muajin mars, ku mbetën 5 persona të vdekur, si dhe shpërthimeve në “Manchester Arena” më pak se dy javë më parë, ku vdiqën 22 persona.

Top Channel