Trump tallet me Clinton: E kërrusura i fajëson të gjithë për humbjen

01/06/2017 00:00

Në përpjekje ndoshta për t’i shpëtuar furtunës që shkaktoi në rrjetet sociale me gabimin e tij ortografik, Donald Trump iu rikthye talljes së preferuar për ish-rivalen e madhe në zgjedhjet presidenciale.

“E kërrusura Hillary”, shkroi ai në Twitter, duke iu përgjigjur njëkohësisht reagimit të Clintonit, e cila në një intervistë televizive përmendi sërish ato që i konsideron si arsye për humbjen në muajin nëntor.

Ish-Sekretarja e Shtetit preku sërish çështjen e Rusisë. “Rusët deshën të shpërndanin lajme të rreme mbi mua, – tha Hillary, – por nuk mund ta kenë ditur sesi ta përdornin sa më mirë informacionin si armë, nëse nuk janë drejtuar nga dikush”.

E pyetur se kush e kishte orientuar Moskën sipas saj, ajo u shpreh:

“Prirem të besoj që ishte Trump. Është shumë e vështirë të mendosh të kundërtën”.

Pas disa orësh, presidenti e thumboi në Twitter. “E kërrusura Hillary” i fajëson të gjithë të tjerët për humbjen, përveç vetes, tha ai.

Ish-Zonja e Parë nuk vonoi ta godiste me armën më të mirë të momentit: gafën e freskët të tij.

“Njerëzit në shtëpi covfefe nuk duhet të hedhin covfefe”, shkroi ajo, duke u tallur me gabimin e kreut të Shtëpisë së Bardhë, që çmendi të mërkurën internetin.

Përdoruesit e rrjetit të madh social e vazhduan lojën e saj. “Po çfarë covfefe të hedhë Trump?”, shkroi njëri prej tyre. “Ai është i gjithi i mbushur me covfefe!!!”.

Trump kishte shkruar orët e vona të së martës në Twitter frazën: “Pavarësisht ‘covfefe’-s negativ të shtypit”, në përpjekje që të thoshte “coverage” në anglisht , duke nënkuptuar kështu “mbulimin mediatik”, gabim të cilin nuk e ka korrigjuar as më pas.

Top Channel