Obama: Tërheqja, mungesë lidershipi. Trump po refuzon të ardhmen

01/06/2017 00:00

Ish-presidenti amerikan Barack Obama ka reaguar menjëherë pas lajmit për tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga pakti i Parisit për klimën, teksa ka thënë përmes një deklarate se administrata e Trump po u bashkohet “një grusht shtetesh të vogla që refuzojnë të ardhmen”, duke u larguar nga ajo marrëveshje.

Obama e mbron ende marrëveshjen që administrata e tij negocioi me shumë kujdes. Ai thotë se vendet që qëndrojnë brenda marrëveshjes së Parisit do të “korrin përfitime” në industritë dhe “vendet e punës që do të krijohen”. Ai shton gjithashtu se Shtetet e Bashkuara duhet të jenë medoemos “në vijën e parë të paketës”.

Ish-presidenti demokrat thotë më tej në deklaratë se vendimi i Trump reflekton “mungesën e qartë të lidershipit amerikan”. Por, Obama thotë se është i bindur, megjithatë, se qytetet, shtetet dhe bizneset amerikane do të mbushin boshllëkun, duke marrë drejtimin për mbrojtjen e klimës.

Obama shprehet se bizneset kanë zgjedhur “një të ardhme me më pak karbon” dhe kanë nisur tashmë investimet e fuqishme në burimet e rinovueshme, si energjia e prodhuar nga era apo energjia diellore.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel