“Norwegian Air”, fluturime “low cost” nga Italia në SHBA

31/05/2017 00:00

Fluturimet “low cost” do të vërshojnë në Itali nga nëntori, falë kompanisë “Norwegian” që premton rrugë në Nju Jork, Los Angeles, e duke nisur nga shkurti, edhe në San Francisco, me “Boeing 787 Dreamliner”.

Fjalët qarkullonin prej muajsh për ngritjen e avionëve me çmime të lira biletash, nga Aeroporti i Fiumiçinos në Romë drejt Shteteve të Bashkuara, e tashmë me njoftimin zyrtar të administratorit të “Norwegian”, Bjorn Kjos, konfirmohet vektori i tretë europian me kosto të reduktuar për numër pasagjerësh.

“Që prej së mërkurës kanë dalë në shitje mbi 115 mijë bileta”, shpjegoi drejtuesi i firmës norvegjeze, që më 5 qershor nis transatlantikun “low cost” nga Barcelona.

“Për të garantuar fluturimet, dy avionë do të vendosen në Fiumiçino”, thotë “Corriere della Sera”. Nga nëntori i vitit 2017 do të nisin fluturimet Romë-Nju Jork, me tarifa që fillojnë nga 179 eurot, dhe Romë-Los Angeles, për 199 euro, me taksat e përfshira.

Po kaq do të jetë edhe çmimi i biletave për në San Francisco, ku do të udhëtohet me pagesa të ulëta nga 6 shkurti i vitit 2018. Kalendari i fluturimeve parashikon 4 të tilla në javë drejt Nju Jorkut dhe dy drejt Los Angelesit.

Top Channel