Mali i Zi, në NATO. Moska komenton incidentin Trump-Markoviç

30/05/2017 00:00

Mali i Zi bëhet zyrtarisht, në fillim të qershorit, anëtar i NATO-s, pavarësisht lidhjeve me Rusinë. Ndonëse procesi nuk ka përfunduar ende plotësisht, në takimin e aleancës në Bruksel, kryeministri malazez, Dushko Markoviç ishte i pranishëm në krah të përfaqësuesve të tjerë të vendeve anëtare.

Por incidenti me presidentin amerikan, Donald Trump, i cili e shtyu që të dilte vet në krye të grupit, në Moskë nuk komentohet thjesht si veprim arrogant i presidentit amerikan.

Deputeti rus, Aleksej Pushkov thotë se shtyrja që shefi i Shtëpisë së Bardhë i bëri kreut të ekzekutivit të Malit të Zi nuk ishte aspak një gjest i sjellshëm.

“Por ajo, gjithsesi, – shkroi Pushkov në “Twitter”, – tregon se cili është vendi i vërtetë i Podgoricës brenda aleancës”.

Perspektiva e anëtarësimit të shtetit të vogël buzë Adriatikut i ka acaruar edhe më tej tensionet tashmë ekzistuese mes NATO-s dhe Rusisë, për shkak të krizës së Ukrainës.

Moska e ka paralajmëruar disa herë aleancën të mos e pranojë Malin e Zi, duke e kërcënuar deri edhe me masa shpaguese. Rusia e sheh në përgjithësi me dyshim zgjerimin e vazhdueshëm të aleancës perëndimore ushtarake në ish-sferën e saj të ndikimit.

Që nga fundi i Luftës së Ftohtë, NATO-ja është shtuar me 12 anëtarë të rinj, sidomos nga Europa Lindore. Në vitin 2009 u anëtarësuan edhe Kroacia e Shqipëria.

Top Channel