Amerika kryen testin e parë kundër raketave ndërkontinentale

30/05/2017 00:00

Ushtria amerikane ka kryer këtë të martë të parin test të mbrojtjes antiraketore, duke reaguar kështu ndaj kërcënimeve të Koresë së Veriut.

Në testin e sotëm është simuluar një sulm me raketë balistike ndërkontinentale (ICBM), ndërsa nga baza e Forcave Ajrore në Vandenberg të Kalifornisë është lëshuar një antiraketë pas “interceptimit” të asaj që quhet ndryshe si ICBM.

Gjithsesi, do të duhen disa orë, përpara se ushtria e SHBA-ve të njoftojë nëse interceptori “Ground-based Midcourse Defense”, (GMD) e ka goditur në shenjë objektivin dhe sa efektiv mund të jetë në të tilla raste.

Testimi amerikan vjen mes frikës në rritje në lidhje me programin e avancuar të Koresë së Veriut për të zhvilluar aftësitë e lëshimit të raketave balistike ndërkontinentale.

Kohët e fundit, Koreja e Veriut ka kryer të paktën 3 teste raketash balistike me rreze të mesme veprimi, në shkelje të plotë të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke shqetësuar më së shumti fqinjët e saj, Korenë e Jugut dhe Japoninë, por edhe vet Amerikën.

Top Channel