Stuhia e egër shkakton viktima në Moskë

29/05/2017 00:00

Persona të shumtë janë vrarë pasi një stuhi e egër goditi Moskën. Kryetari i bashkisë së kryeqytetit rus ka bërë me dije se qindra pemë janë rrëzuar nga stuhija, ndërsa rreth 40 persona kishin kërkuar ndihmë mjekësore.

Të dhënat tregojnë se linjat e energjisë ishin dëmtuar për shkak të erërave të forta dhe shirave të dendur. Numri i saktë i viktimave nuk dihet ende, por agjencitë ruse të lajmeve raportojnë se bëhet fjalë për nga 6 deri në 11 të vdekur.

Autoritetet deklaruan se, erërat e forta si uragan kishin rrëzuar pemët në zona të ndryshme të kryeqytetit, duke goditur për vdekje 5 këmbësorë. Ndërkohë, një person tjetër, i moshuar, mbeti i vrarë në një stacion autobusi.

Sipas agjencisë “TASS”, personat e plagosur janë 69. Moti i keq ka shkaktuar vonesa në linjat e metrove, por vetëm përkohësisht, pasi autoritetet deklarojnë se shërbimi normal ka rifilluar.

“Ngushëllimet e mia shkojnë për familjet dhe miqtë e atyre që kanë humbur jetën”, shkroi kryebashkiaku Sergei Sobyanin në profilin e tij në Twitter.

Top Channel