“British Airways”, thuajse në normalitet këtë të dielë

28/05/2017 00:00

Kompania britanike e fluturimeve ajrore “British Airways” njoftoi se kishte për synim që të operonte në kapacitet të plotë sa i përket fluturimeve të planifikuara nga Aeroporti “Gatwick” dhe shumicës së atyre nga “Heathrow”, gjatë kësaj të diele, pas kaosit për mijëra klientë që shkaktoi një defekt në sistemin kompjuterik.

“Jemi ende duke punuar fuqishëm që të rikthejmë në situatë normale sistemet tona ‘IT’, ndaj synojmë që të vijojmë thuajse normalisht me fluturimet në Gatwick dhe me shumicën e atyre nga Heathrow”, shkruan kompania “British Airways” në një deklaratë të kësaj të diele.

“Ne jemi duke rimbursuar ose riprogramuar fluturimet për klientët që u prekën nga anulimet masive, përmes shërbimeve të reja sa më shpejt që të jetë e mundur. Jemi tejet të keqardhur për këtë pengesë të madhe që u kemi shkaktuar klientëve”, thuhet më tej në deklaratë.

“British Airways” anuloi të gjitha fluturimet nga dy aeroportet kryesore të Londrës gjatë ditës së shtunë, pas një problemi në sistemet kompjuterike që u shkaktua si pasojë e ndërprerjes së papritur të energjisë elektrike.

Top Channel