Samiti i G7-s, ende pa sinjale pozitive për shumë çështje

26/05/2017 00:00

Ndarjet mes Donald Trump dhe anëtarëve të tjerë të G7-s, në Samitin e Siçilisë, janë bërë kaq të mëdha, saqë pjesëmarrësit mund të detyrohen të publikojnë një deklaratë të shkurtër të udhëheqësve dhe jo një komunikatë të plotë, duke dërrmuar shpresat italiane për një hap të madh në kuadër të emigracionit.

Mediet raportojnë se presidenti amerikan nuk pranon kompromis me krerët e Europës për ndryshimet klimatike, tregtinë dhe emigrimin, diçka që duket se shtyu kreun e Këshillit të Europës, Donald Tusk, të pranojë se ky do të ishte samiti më i vështirë i G7-s në vite, madje duke shtuar se gjërat mund të dalin jashtë kontrolli.

“The Guardian” shkruan se Trump kërkon që udhëheqësit botërorë të bëjnë vetëm një referencë të shkurtër për emigrimin dhe të refuzojnë planin italian që njeh të drejtat e emigrantëve, faktorët e krizës së emigrantëve dhe kontributin e tyre pozitiv.

Por plani amerikan, i cili prezantohet si “merre ose lëre”, është shumë më i thjeshtë. Sigurisht që Trump njeh të drejtat e emigrantëve, por thotë gjithashtu se çdo vend ka të drejtë të përforcojë kufijtë e tij dhe të vendosë limite në emigracion.

Vendet e tjera të G7-s po përpiqen gjithashtu të bindin SHBA të respektojnë angazhimet e Samitit të Klimës së Parisit dhe, megjithëse Trump ka pikëpamje të ndryshme nga ata, të paktën ende i nuk ka nxjerrë Shtetet e Bashkuara nga ky pakt, siç kishte premtuar.

Përsa i takon tregtisë, situata s’mund të ishte më kaotike dhe Europa druhet se Trump mund të përdorë proteksionizmin. Anëtarët e G7-s duan që Trump të përcaktojë qartë versionin e tij të tregtisë së ndershme, duke e detyruar të pranojë se sistemi ka nevojë për rregull, ku të udhëheqë Organizata Botërore e Tregtisë.

Burime nga samiti thonë se me 4 udhëheqës që marrin pjesë për herë të parë, pikërisht Donald Trump, homologu i tij francez, Emmanual Macron, dhe dy kryeministrat Paolo Gentiloni e Theresa May, theksi po vihet në ndërtimin e besimin personal mes tyre, e jo në hartimin e deklaratave apo komunikatave të gjata.

Top Channel