E gjithë bota solidarizohet me Londrën, pas sulmit terrorist

23/05/2017 00:00

Flamujt në institucionet britanike janë në gjysmështizë, pas sulmit më të rëndë terrorist në territorin britanik në 12 vitet e fundit. E veçanta e këtij sulmi është se, objektiv janë bërë fëmijët dhe të rinjtë e apasionuar pas muzikës “Pop”.

Ndërkohë, politika britanike ka ndaluar fushatën elektorale për zgjedhjet e parakohshme të 8 qershorit, deri në një njoftim të dytë.

Autoritetet britanike kanë shtuar masat e sigurisë në mbarë vendin dhe ka shtim të pranisë policore të armatosur në qytetet kryesore të vendit. Hetuesit britanikë të Antiterrorit janë duke punuar për të mësuar nëse personi që kreu sulmin terrorist, operonte vetëm apo ka qenë pjesë e një rrjeti më të gjerë terrorizmi.

Britania ka pasur një rekord të admirueshëm në luftën kundër terrorizmit, që nga sulmet me bomba më 7 korrik të vitit 2005, teksa vetëm gjatë vitit të kaluar janë shmangur afro 13 komplote për sulme terroriste falë efikasitetit të shërbimeve sekrete britanike.

Ndërkohë, nga bota nuk kanë munguar mesazhet e solidaritetit me popullin dhe qeverinë britanike, që nga Australia, Kina, Shtetet e Bashkuara dhe Franca, ku presidenti i ri Macron e cilësoi aktin një “sulm vrastar”.

Por më e rëndësishme është oferta për bashkëpunim mes organeve të inteligjencës dhe koordinimi ndërkombëtar mes tyre, për të gjurmuar dhe shmangur sulme të ngjashme terroriste, si ky i Manchesterit, më i rëndi për nga numri i viktimave, pas sulmit në Londër më 7 korrik të vitit 2005, ku humbën jetën 57 britanikë.

Gatishmëria në vend është në nivelin e dytë, më e larta që prej 3 vitesh, ndërkohë që aktiviteti terrorist është rritur, e ku thuajse çdo ditë ka pasur nga një të arrestuar, të dyshuar për organizimin e mundshëm të sulmeve terroriste.

Top Channel