Afganistan, vritet një gjermane. Peng, një finlandeze

21/05/2017 00:00

Persona të armatosur në kryeqytetin e Afganistanit, Kabul, sulmuan një hotel të vogël duke vrarë një shtetase gjermane e duke i prerë kokën një roje afgane.

Agresorët mësynë godinën e drejtuar nga organizata suedeze “Operacioni mëshira” rreth orës 23:30 të mbrëmjes së të shtunës, siç njoftoi Ministria e Brendshme afgane.

Një grua e dytë nga Finlanda është zhdukur, e sipas Ministrisë, ka gjasë të jetë rrëmbyer. Duke konfirmuar sulmin, autoritetet thanë se të gjithë ata që po qëndronin te hoteli ishin punonjës të organizatës bamirëse.

Ministria e Jashmte finlandeze konfirmoi se një shtetase e saj ishte rrëmbyer, por nuk dha detaje të mëtejshme. Ndërkohë, në një sulm tjetër, militantët talebanë vranë 20 efektivë policie në disa postblloqe në jug të Afganistanit.

Të paktën 10 të tjerë mbetën të plagosur në rajonin e Zabulit të shtunën. Talebanët i kanë intensifikuar sulmet e tyre në Afganistan e kanë rrëmbyer një numër shtetasish të huaj gjatë viteve të fundit.

Qeveria britanike ka paralajmëruar se ekziston një kërcënim i lartë e i vazhdueshëm për rrëmbimin e perëndimorëve në këtë vend.

Top Channel