Iran, Rouhani falenderon popullin. SHBA: Mjaft ndihmuat terroristët

20/05/2017 00:00

Presidenti Hassan Rouhani ka mbajtur pasditen e së shtunës fjalimin e tij të parë pas rizgjedhjes në krye të shtetit iranian.

“Irani është i gatshëm të përforcojë dhe të zgjerojë lidhjet ndërkombëtare në të gjitha fushat”, ka thënë Rouhani në fjalimin e transmetuar nga televizioni publik.

Ai ka falenderuar popullin iranian për pjesëmarrjen masive në zgjedhjet presidenciale, duke theksuar se, “tani Republika Islamike është gati të mbrojë interesat e vendit në arenën ndërkombëtare”.

Rouhani është zotuar për intensifikimin e bashkëpunimit me gjithë botën, “sepse bota e kupton fare mirë se Irani është tashmë në të njëjtën rrugë me komunitetin ndërkombëtar për të promovuar paqen dhe miqësinë”, ka thënë presidenti.

Në çdo rast, ka nënvizuar ai, të gjithë duhet ta kenë të qartë se Irani nuk do të pranojë poshtërimin në asnjë rrethanë. “Ky është mesazhi më i rëndësishëm që populli iranian shpreson të jetë kuptuar plotësisht nga fuqitë e mëdha”, ka shtuar Rouhani.

Ndërkohë, mesazhe urimi për presidentin e rizgjedhur kanë ardhur nga homologu rus Vladimir Putin, që është shprehur i gatshëm të vijojë bashkëpunimin me Iranin, si dhe lideri kinez Xi Jinping që është shprehur pak a shumë në të njëjtat linja.

Ndërsa sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, në mesazhin e tij i ka kërkuar presidentit Rouhani që Irani të heqë dorë nga mbështetja që u jep grupeve terroriste në Lindjen e Mesme.

Ndërkohë, nuk ka munguar urimi nga presidenti sirian Bashar al Assad, i cili ka vlerësuar besimin e dhënë nga populli iranian për të forcuar pozitat e Iranit në rajonin e Lindjes së Mesme dhe në botë.

Top Channel