Comey do dëshmojë, vendimi pas shkarkimit nga Trump

20/05/2017 00:00

Ish-shefi i FBI-së, James Comey, i larguar nga detyra me urdhër të presidentit Donald Trump është shprehur i gatshëm të dëshmojë përpara komisionit hetimor të Senatit amerikan më 29 maj.

Shkarkimi i papritur i Comey, në mesin e hetimeve mbi ndërhyrjet ruse në zgjedhjet presidenciale amerikane, shkaktoi një furtunë të vërtetë në Uashington.

Verifikimet tani i janë besuar një tjetër ish-drejtuesi të Byrosë Federale të Hetimit, Robert Mueller. I porsaemëruar prokuror i posaçëm i pavarur, ai duhet të zbulojë nëse ka pasur edhe përzierje jo të duhura të Shtëpisë së Bardhë.

Trump deklaroi së fundmi se largimi i Comey i ka hequr një barrë nga supet. “Isha nën një presion të madh për shkak të Rusisë dhe kjo tashmë është larguar”, citohet të ketë thënë presidenti amerikan.

Sipas CNN, avokatët e tij janë duke studiuar me hollësi rrezikun e një impeachment-ti, procedura kushtetuese që ka në dispozicion Kongresi për rrëzimin e presidentit.

Russiagate po zë vend çdo ditë në artikujt e shtypit vendas dhe jo vetëm. Media të ndryshme të huaja flasin për një funksionar të Shtëpisë së Bardhë të vënë nën hetim.

Britanikja “The Independent” pretendon se ai mund të jetë dhëndri i Trump, Jared Kushner, i vendosur në qendër të polemikave për shkak të takimeve të dyshimta me ambasadorin rus në Uashington, Sergei Kysliak.

Nuk përjashtohet as mundësia që ky person të jetë kreu i Departamentit të Drejtësisë, Jeff Sessions, të cilit i është dashur të heqë dorë nga koordinimi i hetimit.

Top Channel