Regjistrimi online, thjeshtohen procedurat për biznesin

05/05/2017 00:00

Regjistrimet e një biznesi po stimulohen të bëhen online. Qeveria ka thjeshtuar disa procedura në këtë drejtim duke lehtësuar aksesin në shërbimet e ofruara nga Qendra Kombëtare e Biznesit, përfshirë këtu edhe heqjen e një tarife simbolike.

“Po tentohet drejt aplikimeve online për shkak se e gjithë koha e harxhuar në sportele do të minimizohet dhe vendi i aplikimit do të ishte kudo që mund të kishte dëshirë, apo mundësi, apo nevojë për t’u kryer nga aplikanti”, thotë Pranvera Behushi, drejtore e Përgjithshme e QKB-së.

Por edhe me paraqitjen fizike pranë sporteleve të QKB-së, synohet që për bizneset e vogla regjistrimi të bëhet brenda pak minutash.

“Për personat fizikë do të ketë edhe një formular, siç është tani dhe këtë procedurë, nga 24 orë, mund të shkojë edhe në 10 minuta”, thotë drejtorja Behushi.

Në katër muaj, pranë QKB janë regjistruar rreth 5 mijë biznese të reja dhe janë çregjistruar 942 subjekte. Në fakt çregjistrimi është një procedurë e gjatë dhe bëhet nga tatimet, por në QKB bëhen aplikimet.

Në Qendrën Kombëtare të Biznesit ka një sportel nga administrata fiskale, ku jepet informacioni.

“Për t’i ardhur në ndihmë biznesit në QKB, është parë e arsyeshme që një individ nga tatimet, të vijë dhe të sqarojë të gjithë aplikantët në kohë reale në lidhje me detyrimet e tyre tatimore, pastaj pjesa e procedurave është pjesë tatimore dhe jo pjesë e QKB-së”, sqaron drejtorja e QKB.

Top Channel