Idrizi, thirrje për Ramën e Bashën: Zgjidhni krizën!

31/03/2017 00:00

Nga Librazhdi, ku ishte në një takim me strukturat e partisë së tij, Shpëtim Idrizi u bëri thirrje Edi Ramës dhe Lulzim Bashës që t’i japin zgjidhje krizës politike të krijuar në vend.

“Ne kërkojmë sot publikisht që të ulet në një tavolinë Rama me Bashën, që t’i japin zgjidhje dhe të bëjnë një pakt të madh kombëtar, të cilin ia kemi detyrim qytetarëve të Shqipërisë. Jo më konfliktualitetit! Të bëhemi bashkë për të jetësuar integrimin europian të shqiptarëve”, tha Idrizi.

PDIU i jep të drejtë opozitës për garantimin e zgjedhjeve, por nuk ndan të njëjtin mendim për qeverinë teknike: “Absolutisht para zgjedhjeve ne nuk mund të kemi dot një qeveri teknike. Po qe nevoja, le të zgjedhim një Drejtor Policie, ku të gjitha palët të jenë dakord”.

Duke iu referuar akuzave për blerjen e votës, Idrizi shtoi se kjo ka ndodhur nga të njëjtat parti që sot ankohen çdo ditë: “Prandaj ne propozojmë që një grup prokurorësh specialë të jetë pranë KQZ-së, në mënyrë që të veprohet urgjentisht në raste të blerjes apo transferimit të votave. Ne nuk pranojmë dot si parti e interesit kombëtar dhe interesit qytetar, që sot shqiptarët të blihen me 5 mijë lekë apo me një thes miell”.

Shpëtim Idrizi u ndal edhe një herë tek kërkesa për të pasur numërues edhe nga partitë e vogla, duke shmangur kështu abuzimet nga dy partitë e mëdha.

Top Channel