Kritikat kundër Soros, ‘I Padëshiruar’ në Evropën Lindore

26/03/2017 00:00

Korit të kritikave kundër filantropit liberal George Soros, u janë shtuar edhe udhëheqës të ndryshëm politikë në Evropën qendrore dhe lindore.

Siç raporton Zëri i Amerikës, disa prej atyre që po e ngrenë zërin kundër miliarderit hungarezo-amerikane janë frymëzuar nga Shtetet e Bashkuara, veçanërisht nga disa media të djathta, që e shohin filantropin si një figurë të urryer liberale.

“Duhet të jemi të vetëdijshëm se grabitqarët e mëdhenj notojnë në këto ujëra. Kjo është mbretëria pa kufij e George Sorosit, i pajisur me mjaft para dhe me një artileri të rëndë ndërkombëtare”, ishin fjalët e kryeministrit të djathtë hungarez Viktor Orban, dikur përfitues i fondeve të Sorosit.

Nikolla Gruevski i Maqedonisë fajëson drejtuesin e fondacionit “Shoqëria e Hapur” për rrëmujat që çuan në dorëheqjen e tij. Miliarderi sulmohet gjithashtu edhe në Rumani, Poloni dhe politikanë të tjerë të rajonit.

Por disa kritikë të intervistuar nga agjencia e lajmeve Reuters, tërheqin vëmendjen kundër taktikave të tilla. Sipas tyre fushata kundër Sorosit në vendet e dominuara më parë nga Moska duket se po ndjek modelin e presidentit rus Vladimir Putin, goditja e të cilit ndaj organizatave të bamirëse të financuar nga të huajt çuan në largimin e Fondacionit Soros nga Rusia dy vjet më parë.

“Metoda ruse mund të vihet re tek argumentet rreth organizatave të pavarura civile”, thotë Stefania Kapronczay, kryetare e organizatës hungareze Bashkimi i Lirive Civile.

Maria Vasarhelyi, eksponente e opozitës hungareze mendon se kjo është karakteristikë e regjimeve autokrate që kërkojnë të heqin qafe çdo lloj autonomie, prandaj siç thotë kanë nevojë për të krijuar armiq.

Top Channel