Gjyqet e pronave, Strasburgu detyron qeverinë të paguajë 18 mln euro

18/03/2017 00:00

Vendimet e dhëna nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut për kthimin e pronave i kushtuan buxhetit të shtetit 18.1 milionë euro gjatë vitit të kaluar.

Sipas dokumenteve të publikuar nga Avokatura e Shtetit, në vitin 2016 Gjykata e Strasburgut dha 5 vendime kundër Shqipërisë, duke e dënuar qeverinë të paguajë një faturë totale prej 2.5 miliardë lekë ose mbi 18.1 milionë euro, çka përbën një rekord historik

Por sipas qeverisë, kjo është hera e fundit që buxheti paguan një faturë të lartë për vendimet e Strasburgut.

Vitin e kaluar Parlamenti miratoi një ligj të ri për kthimin dhe kompesimin e pronave. Ligji, i cili përcakton një formulë të re, u kundërshtua nga pronarët. Por gjykata kushtetuese edhe pse rrëzoi disa pika të tij, nuk e preku formulën e kompensimit.

Sipas të dhënave nga Avokatura e Shtetit, deri vitin e kaluar, në Gjykatën e Strasburgut ishin 106 padi të ngritura kundër shtetit shqiptar. Pretendimet për kompensimin e tyre, arrinin në 556 milionë euro, një faturë e papërballueshme për financat publike.

Por sipas qeverisë, me hyrjen në fuqi të ligjit të ri, rreziku për financat është shmangur, pasi të gjitha paditë ndaj Shqipërisë kanë rënë dhe pronarët do të shpërblehen sipas ligjit të ri.

Top Channel