Fiks Fare: Ndeshja e futbollit që shoi ëndrrat e qytezës së Rubikut

17/03/2017 00:00

Në maj të vitit 2015, u luajt ndeshja e futbollit mes Rubikut dhe Internacional Tirana, në Pezë Helmes, në kategorinë e tretë.

Ndeshja përfundoi me rezultatin 1-0 në favor të Internacionalit dhe për rrjedhojë, Internacionali u ngjit një kategori më lart. Skuadra e Rubikut, pas asaj ndeshje, u shkri, duke shuar ëndrrat e qytezës së vogël. Por, megjithëse kanë kaluar shumë muaj, vazhdon të flitet për atë ndeshje, jo për rezultatin, por për parregullsitë e konstatuara.

Skuadra e Rubikut është ankuar në Federatën Shqiptare të Futbollit dhe prokurori. FSHF-ja nuk i ka dhënë të drejtë, ndërsa akuza kryeqytetase vazhdon të zvarrisë hetimin.

Në redaksinë e emisionit Fiks Fare “trokiti” z.Preng Gjergji, ish-trajneri i KF Rubikut. “Ndeshja u luajt në 15 maj të vitit 2015 në fushën sportive Pezë Helmes. Në pjesën e parë të takimit kam parë që një lojtar i Internacionalit nuk ishte i federuar. Duhej të luante lojtari Endri Murati, por luajti Andon Shutermeja. Ky i fundit, në atë kohë, nuk ishte me Internacionalin. Ndeshja përfundon me rezultatin 1-0 në favor të Internacionalit, që u ngjit një kategori më lartë, ndërsa Ekipi i Rubikut, pas asaj ndeshje u shkri”, thotë Preng Gjergji. Ai i serviri Fiksit pamje të ndeshjes, duke krahasuar lojtarin që luajti i pafederuar (Andon Shutermeja) me lojtarin që duhet të luante (Endri Murati).

“Jam ankuar në FSHF, por Komisioni i Disiplinës nuk e mori për bazë këtë denoncim, duke vulosur fitoren e Internacionalit. Pas asaj ndeshje ne u fundosëm, lojtarët u demoralizuan dhe aktualisht nuk kemi një ekip futbolli. Pse të mos ishim ne Kukësi i ri? I kishim të gjitha mundësitë, na prenë ëndrrat në mes. E kam denoncuar çështjen në prokurori. Prokuroria pushoi hetimet, ndërsa unë e ankimova në gjykatë. Gjykata vendosi që çështja të rihetohej, duke bërë edhe veprimet përkatëse të marrjes në pyetje të futbollistëve. Prokuroria po e zvarrit këtë çështje” thotë z.Gjergji, duke shtuar se e ka kërcënuar z.Agim Bedini, trajneri i Internacionalit, ndërsa Delegatët e FSHF-së nuk bënë asnjë veprim.

Gazetarët e Fiksit takuan në kompleksin sportiv në Pezë Helmes z.Agim Bedini, trajnerin e ekipit Internacional. Gjatë intervistës ai tha se ekipi i tij e meritoi fitoren. “Ajo çështje është mbyllur që në atë kohë. Ne kemi luajtur një kampionat e gjysmë në kategorinë e dytë, ku dhe jemi aktualisht. Ata e ankimuan çështjen, por FSHF-ja vendosi në favorin tonë”, thotë z.Bedini, ndërsa pyetet nëse në atë ndeshje ka luajtur ndonjë lojtar i pa federuar.

Ai thotë se jo, nuk ka luajtur, madje pretendon se në atë takim nuk ka pasur asnjë parregullsi. Por, jashtë kamerës, ai thotë se lojtari që pretendon KF Rubiku luajti vetëm një pjesë loje. “U bë një ngatërresë dhe për 2 a 3 muaj u zgjidh gjithçka. Edhe nëse ka të drejtë KF Rubiku, nuk mund të kthehet asnjë gjë” vijon ai.

Pas pretendimeve të dy trajnerëve, Fiks Fare iu drejtua me një kërkesë Federatës Shqiptare të Futbollit. FSHF na ktheu përgjigje se nuk janë marrë parasysh filmimet që trajneri i Rubikut ka çuar në federatë. Në këto filmime tregohej qartë se futbollisti i pafederuar luan në një ndeshje të kategorisë së tretë. Në fund thotë se “është e pamundur sot të parashikohet se çfarë mund të kishte ndodhur me klasifikimin dhe ngjitjen ose jo të KF Rubiku në një kategori më lartë”.

Top Channel