Një grua ruse, e dënuar me shtatë vite burg nën akuzat për tradhti, dhe më pas e falur nga presidenti Vladimir Putin, ka dalë nga burgu.
Oksana Sevastidi, doli nga burgu Lefortovo në Moskë, mëngjesin e të dielës. Ajo ishte dënuar vitin e kaluar për një mesazh SMS në 2008-ën, që i drejtohej një miku në Gjeorgji, e në të cilin ajo shkruante se tanket ruse ishin parë të lëviznin drejt Gjeorgjisë.
Ajo hodhi poshtë akuzat gjatë procesit. Gjeorgjia dhe Rusia u angazhuan në një luftë disa ditore pas ndarjes së rajonit separatist të Osetisë së Jugut nga Gjeorgjia, në 2008-ën.
Dhjetëra e mijëra gjeorgjianë që jetonin në Osetinë e Jugut u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre gjatë luftës së shkurtër në gusht të atij viti.
Më vonë, Rusia njohu Osetinë e jugut dhe Abkhazinë, një tjetër rajon separatist të Gjeorgjisë, si shtete të pavarura.
Të dielën, Oksana Sevastidi, i tha gazetarëve që ajo i ishte mirënjohëse të gjithëve, por nuk bëri komente të mëtejshme. Dhjetorin e kaluar, presidenti putin e quajti vendimin e gjykatës për rastin e saj, të ashpër dhe e fali më herët, këtë muaj.
Pavarësisht kësaj, avokati i Sevastidit, tha se ai do të kërkonte anulimin e vendimit dhe shfajësimin e plotë të klientes së tij.
Top Channel