Orientimi; Fermerët do mbjellin sipas kërkesave të tregut

10/03/2017 00:00

Drejtoria e Bujqësisë në Lushnje ka nisur një praktikë të re në zonë duke i orientuar fermerët të kultivojnë ato produkte që ka nevoje tregu.

Për këtë u nisen nga përvoja e viteve të fundit ku shumë produkte mbeteshin stok si pasojë e ofertës së lartë në treg.

“Është një marrëveshje që duhet bërë. Produkti që mbillet në fushë të jetë i garantuar për t’u tregtuar dhe për t’u shitur. Aktualisht ka përfunduar mbjellja e perimeve në sera, sipas vargëzimit që kanë ato. Është pothuajse në përfundim mbjellja e shalqinit në zonën e Divjakës”, tha Dhimitraq Qorri, specialist i drejtorisë së bujqësisë në Lushnje.

Por kjo nismë është koordinuar edhe me pikat e grumbullimit të këtyre produkteve që do kërkojnë të mbillet ajo çka kërkohet më tepër duke siguruar edhe farat e kulturave përkatëse.

Kemi filluar fillimisht të kontaktojmë blerësit tanë nga Europa, për produktet të cilat ata i kërkojnë. Në bazë të kërkesës së tyre kemi kontaktuar prodhuesit e farave dhe farat e reja do t’i sjellim” thotë Fatos Islami, drejtor i pikës së eksportit.

Edhe fermerët shprehen të kënaqur me këtë sistem.

Këtë vit kemi filluar me kontrata me pikat e grumbullimit. Kemi ndjerë veten pak më të sigurt”, u shpreh fermeri Gramoz Bali.

Në rrethin e Lushnjës janë rreth 525 ha sera të mbjella , 60% kultivojnë domate 20 % trangull dhe 10 % spec pasi këto janë edhe produktet më të kërkuara, për të cilat këtë vit janë lidhur rreth 30 kontrata me fermerët.

Top Channel