Para largimit, Luis Enrique ka në fokus parakalimin e Guardiolës

02/03/2017 00:00

Ka nisur një garë e vërtetë për të gjetur 6 muaj para kohe pasuesin e Luis Enriques në pankinën e Barcelonës, por edhe pse të surprizuar për largimin e teknikut iberik, te skuadra e Barcelonës mund të krenohen me numrat.

Luis Enrique mund të largohet nga Barça me një përqindje fitoresh edhe më të mirë sesa Pep Guardiola, por vetëm nëse triumfon në të paktën 12 nga 13 ndeshjet e mbetura në “Camp Nou”.

Ish-mesfushori i Barcelonës, që do të qëndrojë edhe këto pak muaj në stol, konfirmoi se nuk do të rinovojë kontratën aktuale. Skuadra “blaugrana” mbetet në garë për 3 trofe, gjë që nënkupton se Luis Enrique mund t’i shtojë pikërisht këto, 8 titujve që ka fituar deri më tani me gjigantët e futbollit botëror.

Në një analizë statistikore, ku Enrique u krahasua me Guardiolën, Tito Vilanovën dhe Gerardo Martinon, del se timonieri aktual mund të ngjitë shpejt shkallët. I ndjeri Vilanova është ai që ka përqindjen më të lartë të fitoreve ndër 4 menaxherët e fundit, me saktësisht 84.2% të të gjitha sfidave. Ndërkohë Guardiola braktisi “Camp Nou”-n me 116 fitore në 152 ndeshje dhe një mesatare fitoresh prej 76.3%.

Aktualisht Luis Enrique, që është përballur shpesh me kritika dhe presion jo të merituar, ndalet në 75.2% të ndeshjeve të fituara. Nëse fiton 12 nga 13 ndeshjet e mbetura, ai do të kalojë Guardiolën, ndërsa 11 fitore të mundshme do ta bënin atë të barazohej me ish-shokun e tij të ekipit. Në kalendarin e ardhshëm të Barcelonës është dhe një “El Classico” ndaj Realit të Madridit.

Top Channel