Mbrëmja e madhe e “Oscars”

27/02/2017 00:00

Mbrëmja e madhe e “Academy Awards” ishte e denjë për një skenar emocionesh të mëdha. Si e tillë, ajo erdhi edhe në ekranin e Top Channel, duke filluar me një transmetim maratonë në studio nën moderimin e Ledion Liços, e më pas të ftuarve që komentuan gjithçka mbi këtë ceremoni.

Mbrëmja e “Oscars” kishte dy lajme të mëdha: Filmin më të mirë “Moonlight”, por edhe gafën që e shoqëroi ndarjen e tij.

Njëri prej të ftuarve në mbrëmjen e djeshme, Genc Përmeti komenton pas ceremonisë pikërisht këtë gafë historike.

“Faye Dunaway është një nga aktoret më problematike që ka Hollywood-i, plus që ajo do të kthehet sërish në rolin e protagonistes. Ajo e shkatërroi përsëri, siç di të bëjë vetëm Faye Dunaway”, thotë Genc Përmeti, skenarist, producent.

“Moonlight” është një film që përmbante mesazhin e pranimit të identitetit, pas një rrugëtimi të gjatë në kërkim të vetes.

“Që në sekuencën e parë kur sheh ‘La La Land’, mendon që ai film do ta merrte regjisorin më të mirë, sepse kjo nuk diskutohej. Atëherë i bie që filmin më të mirë do ta merrte ‘Moonlight’. Ai film është bërë në kontekstin e duhur social-kulturor-politik. Ky ka qenë edhe avantazhi i këtij filmi”, tha më tej Genc Përmeti.

Habia erdhi sidomos për shkak të buxhetit të realizimit të tij me vetëm 1.5 milionë dollarë.

“Tani po shoh se ka një tendencë, duan të gjejnë artistin brenda saj dhe mënyra më e mirë për ta bërë këtë është duke shkuar drejt këtyre prodhimeve të pavarura”, u shpreh Genc Përmeti.

Veçse “La La Land” na bëri të mendojmë në fund të filmit se do të kishim një mbyllje të lumtur, por më pas na i mori këtë ndjesi. Duket se kjo gjë iu kthye edhe vet atyre.

Top Channel