Nuk mund të thuash që ke jetuar nëse nuk ke diçka për të treguar. Alma Liço është sot në prag të gjashtëdhjetave. E ngelur tashmë pa punë, ajo ka më shumë kohë të ushtrojë pasionin e saj për të shkruar, për të treguar më mirë.

Kurioziteti për këtë grua erdhi nga libri i saj “Krahë të Këputur”. Ajo ka jetuar pothuajse gjysmën e jetës në internim. Gjithçka nisi pas pushkatimit të gjyshit të saj.

“Ai ishte avokat, kishte mbaruar për Drejtësi në Harvard dhe ka ushtruar avokatinë në qytetin e tij të lindjes. Për shkak të bindjeve të tij politike, që nuk kishin aspak të bënin me komunizmin, ai u dënua si shumë intelektualë të tjerë me ekzekutim”, tregon Alma Liço.

Ka qenë një ditë që shembi jetën e një familjeje normale të dy prindërve mësues në një shtëpi tipike tiranase, në lagjen “Ali Demi” dhe të tre fëmijëve, më i madhi prej të cilëvë, Alma.

“Atë ditë kisha ditëlindjen, mbusha 10 vjec. Na hipën në atë makinë, ndaloi makina në mes të fshatit. U afruan shumë fshatarë, disa ishin kuriozë, por në përgjithësi kishin një qëndrim shumë armiqësor dhe një lloj gëzimi të lig”, tregon Alma.

‘Nuk kisha parë kurrë diçka të tillë më parë’, përshkruan ajo në libër banesën e re. “Ishte nga ato kasolle të bëra me gardh dhe të mbuluara me kashtën e grurit nga sipër. Ishte si një stallë brenda, pa ndarje, në mes të asaj që mund të quhej çati ishte një shtyllë mbajtëse dhe nuk arritëm të fusnim as ato orendi shtëpiake që kishim”, rrëfen Liço.

Të nesërmen e asaj dite, fëmijëria e saj mori fund. Përballja me realitetin dhe sidomos lufta me mbijetesën, dhimbjen dhe përbuzjen do të zinin vend.

“Të nesërmen, im atë më mori, më uli afër tij dhe më shpjegoi gjithçka që po ndodhte në familjen tonë. Më tregoi si ishte historia e babait të tij, i dënuar me ekzekutim, për të cilën unë nuk dija asgjë. Mua mu duk sikur mu shemb e gjithë bota nën këmbë dhe fëmijëria ime mori fund”, shprehet Liço.

Ndërsa jetesa e fëmijëve të tjerë në shkollë ishte normale, për të ishte ndryshe. “Mësuesja kishte një qëndrim armiqësor ndaj meje. Në orën e aritmetikës i kërkoja alternativa, zgjidhje të problemeve dhe njëherë e vura shumë në vështirësi. Ajo ulëriti aq fortë sa nuk e harroj as sot ulërimën e saj. Pastaj erdhi më kërcënoi dhe më tha, ti mëso sa të duash, se ty kazma të pret”, tregon gruaja.

Në shtepinë e familjes Liço kishte ngelur gjyshja e Almës. Një shpresë e vetme që do t’i mundësonte kthimin pas dy vitesh në Tiranë.

“Këshilli i lagjes së asaj kohe kishte sjellë një qytetar që kishte qenë i shtruar në psikiatri. Ai kishte punuar në minierë dhe nga një aksident kishte mbetur me të meta. Me dhunë, këshilli i lagjes e solli në shtëpinë e prindërve të mi”, tregon ajo.

Por edhe ky qëndrim do të zgjaste pak. Pas tre vitesh gjyshja e saj ndërroi jetë dhe Alma u detyrua të riktheh në fshat. Aty iu rikthye bujqësisë, u martua pa dashuri, solli në jetë dy fëmijë dhe i duhej të priste deri në shëmbjen e regjimit për t’u rikthyer në Tiranë, në moshën 33-vjeçare.

Top Channel