Trump pret Trudeau, SHBA-Kanada, bashkëpunim ekonomik

13/02/2017 00:00

Ashtu siç ishte paralajmëruar, takimi mes kryeministrit kanadez Justin Trudeau dhe presidentit amerikan Donald Trump, ishte një takim kortezie, me fokus tek ekonomia dhe me një objektiv të dukshëm, atë të evitimit dhe zbutjes së tensioneve mbi çështje si emigracioni, ku të dy ata, janë qartësisht në pozicione të kundërta.

Trudeau dhe Trump, premtuan se do të punojnë së bashku për të garantuar rritjen ekonomike dhe hapjen e vendeve të reja të punës për të dyja vendet. Në një konferencë për shtyp, ata nënvizuan objektivat e përbashkët ekonomikë të SHBA dhe Kanadasë si edhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

“Ne do të koordinohemi për të mbrojtur vendet e punës në hemisferën tonë dhe për të mbajtur pasurinë në kontinentin tonë”.

Lideri kanadez gjithsesi, tha se ata kishin patur një diskutim të frytshëm për emigracionin, por nënvizoi se vendi i tij kish ndjekur një politikë hapjeje kundrejt refugjatëve, pa kompromentuar sigurinë. E për të nxjerrë në pah edhe më tepër kortezinë, Trudeau i dha Donald Trump, një fotografi të presidentit amerikan dhe babait të tij, Pierre Trudeau, kur ky i fundit ishte kryeministër, në 1981.

Dy liderët, dhe vajza e Trump, Ivanka, po ashtu, kryesuan edhe një diskutim mbi punonjëset femra dhe ranë dakord për ngritjen e një task force që do të punonte për avancimin e grave në udhëheqjen e biznesit dhe sipërmarrjeve.

Kjo task forcë e përbashkët, mund të ndihmojë në zbutjen e tensioneve mbi disa masa proteksioniste që Trump ka ndërmarrë që nga ulja në detyrë në janar. Ndërsa Trump ka mbajtur një qëndrim të ashpër mbi emigracionin, bashkëbiseduesi i tij ka një pozicion krejt të ndryshëm.

Lideri kanadez ka tërhequr shumë vëmendje pas pranimit të 40 mijë refugjatëve dhe ka premtuar se do të mirëpriten të gjithë ata që i largohen persekutimit dhe luftës.

Top Channel