SHBA, arrestohen emigrantët pa dokumente të rregullta

12/02/2017 00:00

Raportet e një serie operacionesh kundër emigrantëve pa dokumente të rregullta qëndrimi kanë shkaktuar shqetësimin e këtyre komuniteteve, avokatëve e demokratëve në Shtetet e Bashkuara.

Qindra arrestime janë kryer, edhe pse zyrtarët e Emigracionit justifikohen duke sqaruar se operacionet policore kanë shënjestruar persona me precedentë kriminalë.

Aksioni vjen në kohën kur Amerika është zhytur në debatet e urdhrit ekzekutiv të Donald Trumpit, i cili ua ndalon hyrjen shtetasve nga 7 vende me shumicë myslimane. Aktualisht dekreti është pezulluar por Trump la të kuptohet se javën që vjen mund të nxjerrë një urdhër të ri.

“Frika që ka mbushur shtëpitë e emigrantëve dhe amerikanëve autoktonë që i duan emigrantët e i kanë miq, është e prekshme. Raportet për bastisje e aksione ndaj tyre janë tmerrësisht shqetësuese”, tha Ali Noorani.

Operacionet policore janë zhvilluar në Atlanta, Nju Jork, Çikago, Los Anxheles dhe zonat përreth tij. Sipas zyrës së Emigracionit, vetëm 5 prej 161 të arrestuarve në Kaliforninë Jugore nuk do të hynin në prioritetet e saj në kohën e administratës “Obama”. Protestat nuk vonuan.

“Arsyeja përse jam këtu sot është se nuk do të deportohej vetëm im atë, erdhën të kërkonin dikë tjetër. Dhe më acaron fakti që erdhën me atë shenjën e policisë në kurriz, nuk ishin as agjentë të emigracionit”, tha një protestuese.

Koalicioni për të drejtat njerëzore të emigrantëve thotë se rreth 100 personave të arrestuar nga agjentët e emigracionit u është mohuar qasja tek avokatët.

Top Channel