Turqi, konfirmohet referendumi për pushtetin e presidentit

11/02/2017 00:00

Komisioni elektoral turk ka konfirmuar mbajtjen më 16 prill të referendumit për presidencializmin, një ditë pasi presidenti Recep Tayyip Erdogan firmosi reformën kushtetuese të aprovuar nga Parlamenti.

Reforma, e kërkuar me ngulm nga vetë Erdogan, i garanton kreut të shtetit pushtetin për të emëruar ministra dhe funksionarë të tjerë të lartë, të shkrijë parlamentin, të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme, dekrete dhe të emërojë gjysmën e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë.

Për kritikët bëhet fjalë për një centralizim të pushteteve në nivel të paprecedent, për më tepër tek një figurë politike e akuzuar disa herë për autoritarizëm.

Ndërkohë, opozita ka denoncuar mungesën e shanseve për të shprehur qëndrimin e saj kundër reformës, pasi pjesës dërrmuese të mediave në vend u është mbyllur goja.

Nga ana e saj, qeveria turke është e mendimit se një presidencë më e fortë do ta bëjë vendin më të fortë në luftën kundër terrorizmit.

Në këtë aspekt, forcat turke të sigurisë kanë njoftuar këtë të shtunë ndalimin e dy anëtarëve të ISIS, të cilët sipas tyre po përgatisnin sulme në Europë. Bëhet fjalë për një shtetas libanez dhe një iraken, që posedonin armë zjarri dhe eksploziv.

Top Channel