Lideri i partisë anti-BE në Britaninë e Madhe, Paul Nuttall ka ndërruar shtëpi për shkak të kërcënimeve që i kanosen sigurisë së tij.
Lajmin e ka bërë të ditur një zëdhënës, i cituar nga “Press Association”, i cili ka konfirmuar se vendimi është marrë pas disa incidenteve të verifikuara në javët e fundit.
Nuttall ka deklaruar se ka informuar për shpërnguljen e tij autoritetet elektorale të lokalitetit Stok on Trent, ku ai garon për zgjedhjet.
Paul Oakden, kryetar i UKIP, ka deklaruar se që kur adresa e shtëpisë ku Nuttall ka qëndruar për fushatën elektorale u publikua në rrjetet sociale, pranë saj kanë ndodhur gjëra shqetësuese.
Incidenti më serioz ka qenë ai kur dy të panjohur kanë tentuar të hyjnë në banesë nga dera e mbrapme e saj.
Gjithashtu, në këtë adresë kanë mbërritur letra me mesazhe kërcënuese, si dhe ka pasur përpjekje për të fotografuar ambjentet e brendshme të shtëpisë nga dritaret.
Top Channel