“Votuam për Trump, por muri nuk është zgjidhje”

26/01/2017 00:00

Donald Trump kërkon ndërtimin e një muri përgjatë gjithë gjatësisë prej 3 200 kilometrash të kufirit SHBA-Meksikë. Aktualisht, ekziston një barrierë në një pjesë të kufirit, e cila patrullohet me automjete dhe monitorohet me avionë pa pilot, me kamera me rreze infra të kuqe e mjete të tjera.

Përgjatë dy muajve të fundit, korrespondenti i CNN-it, Ed Lavandera, ka udhëtuar përgjatë gjithë gjatësisë së kufirit jugor, duke dokumentuar jetën dhe zërat e njerëzve që jetojnë aty. Robert Cameron është një prej tyre. Bashkë me Lavanderën, ai kaloi nëpër njërën prej atyre zonave ku nuk të sheh syri agjentë të patrullave kufitare e ku për kilometra të tëra nuk do të gjesh as pika doganore.

39-vjeçari këtë lloj rrugëtimi e ka kthyer në biznes. Ai ka një ushtri të vogël automjetesh të përshtatshme për terrene të vështira e dërgon turistë për ta hapur nga afër kufirin e Teksasit me Meksikën. Cameron votoi për Trumpin dhe e mbështet plotësisht idenë e Presidentit të ri amerikan për ngritjen e një barriere solide në jug.
 
“Ai i thotë gjërat ashtu siç janë, nuk i vjen rrotull. Përderisa e bëri këtë premtim, ishte e qartë që do ta mbajë”, deklaroi Cameron.
 
Por, si njeri që e njeh mirë dhe e përjeton nga afër realitetin në terren, 39-vjeçari shprehet se edhe ai vetë nuk mund ta thotë me saktësi sesa do të funksionojë muri prej betoni.

Ai i tregon reporterit se struktura ekzistuese është e mbushur me të çara: “Kjo përfundimisht nuk është e sigurtë. Nuk e di se si do të ndërtohet ai muri i padepërtueshëm. Njerëzit duhet të kalojnë në tokën e vet”.
 
88-vjeçarja Pamela Taylor është një prej njerëzve që jetojnë pranë vijës ndarëse mes dy vendeve. Për dekada të tëra, ajo ka parë emigrantë të paligjshëm të dalin nga ujrat e Rio Grandes e të shpërndahen shpejt nëpër lagje. Çdo natë, lë jashtë portës shishe uji për këta njerëz, por edhe për agjentët e përfshirë në ndjekjen e tipit macja me miun, që nuk ka fund.

Pamela Taylor, banore e Braunsvill (Teksas), shprehet: “Duhet të tregohesh i krishterë në gjëra të tilla. Nuk është mirë t’i shohësh njerëzit të vuajnë etjen dhe urinë”.
 
Ishte presidenti George W. Bush ai që e firmosi aktin e murit të sigurtë rrethues në vitin 2006. Për ngritjen e tij, qeverisë federale iu desh të bënte llogaritë me dhjetëra pronarë tokash e procese gjyqësore.

Top Channel