Nominimet për çmimet që nuk do t’i donte kush

23/01/2017 00:00

Ka gjithçka për të qenë një ceremoni çmimesh: trofe, të kandiduar në kategori të ndryshme, si dhe emra të njohur hollivudianë. E megjithatë nuk është si gjithë të tjerët, pasi çmimet që ndan ai nuk do t’i donte askush.

Bëhet fjalë për ceremoninë “Razzie Awards”, që vlerëson filmat e perfomancat më të këqija të vitit. Këtë vit, në listën aspak të lakmuar të kandidaturave përfshihen aktorë fitues të çmimeve “Oscar”, të tillë si Julia Roberts, Ben Affleck apo Robert De Niro.

Filmi satirik “Zoolander 2” është ai që kryeson, me plot 8 nominime “Razzie”, përfshirë për regjisorin e protagonistin Ben Stiller dhe aktorët Owen Wilson dhe Will Farell.

Ben Affleck nominohet për rolin në filmin “Batman vs Superman: Dawn of Justice”, i bazuar në një libër komik me superheronj. Edhe vet filmi renditet mes prodhimeve më të këqija të vitit. Por pavarësisht shuplakës së kritikës, arkëtimet globale prej më shumë se 873 milionë dollarësh, tregojnë se audienca e ka pëlqyer atë.

Filma të tjerë në listë janë komedia “Dirty Grandpa”, me protagonist Robert De Niron; filmi aksion “Independence Day”, me Liam Hemsworth; si dhe aventura fantazi “Gods of Egypt”.

Julia Roberts kandidohet si aktorja më e keqe për rolin në komedinë romantike “Mother’s Day”, në të cilën aktorja tërheq vëmendjen me paruket e saj portokalli. Fituesit e çmimeve “Razzie” do të shpallen më 25 shkurt, një ditë para ceremonisë së çmimeve “Oscar”.

Top Channel