Moti i keq në Itali, probleme me energjinë elektrike në Abruzo

18/01/2017 00:00

Një pjesë e Italisë qendrore është përfshirë nga bora intensive e ditëve të fundit, duke shkaktuar gjendjen e emergjencës, sidomos në rajonin e Abruzos, më i prekuri.

Mësohet se rreth 300 mijë banorë kanë mbetur pa energji elektrike, nga dëmtimi i linjave për shkak të reshjeve të dëborës, ndërsa komuna e Abruzos ka kërkuar ndihmën e ushtrisë. Kompania italiane e energjisë, bëri të mundur rilidhjen e energjisë për rreth 100 mijë abonentë, por në disa zona si Teramo, Peskara dhe Chieti, mësohet se mijëra banorë janë akoma pa energji elektrike.

Situata e motit për 48 orët e ardhshme nuk duket se është drejt përmirësimit, nisur nga parashikimet e sinoptikanëve. Në Teramano, mungesa e energjisë ka shkaktuar probleme edhe me furnizimin me ujë, ku të paktën 5 mijë familje janë në vështirësi, ndërkohë spitali ka rreth 5 orë pa ujë.

Sipas “Corriere della Sera”, dëmet e shkaktuara nga moti këtë vit janë shumë herë më të mëdha se ato në mars të vitit 2015, kur ky rajon u përfshi nga reshje bore me intensitet të lartë e për pasojë mbetën pa energji afro 250 mijë abonentë.
 
Shkollat do të vijojnë të jenë të mbyllura edhe ditën e sotme, si pasojë e motit të keq. “Që bie borë, kjo nuk është gjë e re, sikurse nuk është gjë e re ikja dhe ardhja e dritave”, deklaron kryetari i komunës së Amatrices, Serxhio Pirozi,  që konfirmon situatën e rëndë të furnizimit me energji në disa zona.

Top Channel