Rusi, Putin: Ish-agjenti britanik, më keq se një prostitutë

17/01/2017 00:00

Presidenti rus, Vladimir Putin i ka përshkruar akuzat se vendi i tij ka materiale kompromentuese rreth presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump si “absolutisht absurde”. Ai ngriti dyshime mbi arsyet që mund të kenë çuar agjentët sekretë rusë të spiunonin Trumpin përpara se ai t’i futej politikës. Madje, kreu i Kremlinit ka thënë se ata që bëjnë këto akuza janë “edhe më të këqinj sesa prostitutat”.

Materiale të publikuara javën e kaluar pretendojnë se ekipi i tranzicionit të Trumpit ka bërë marrëveshje me Rusinë, e cila zotëron gjithashtu video banale nga jeta e tij private. Pretendimet janë të atilla që Rusia ruan informacione kompromentuese në lidhje me interesat e biznesit të presidentit të zgjedhur amerikan, dhe se Trumpi është filmuar me prostituta në hotelin “Ritz Carlton” në Moskë, gjatë ceremonisë së Miss Universit në vitin 2013.

Trump nga ana e tij i ka hedhur poshtë këto materiale, që thuhet se janë përgatitur nga një ish-agjent spiunazhi britanik, duke i quajtur ato si “lajme të rreme”.

Duke folur në Moskë, edhe Putin tha se dokumentet e publikuara ishin “gënjeshtra të pastra”, e për më tepër të publikuara nga ata që “duan të minojnë legjitimitetin e presidentit të zgjedhur”. “Kur Trumpi erdhi në Moskë, ai nuk ishte një figurë politike. Ne madje nuk kemi qenë në dijeni të ambicieve të tij politike”, tha Putin. “Mos ndoshta dikush në këtë botë mendon se shërbimet tona sekrete ndjekin cilindo prej miliarderëve amerikanë? Sigurisht që jo, ky është absolutisht absurditet”.

Ai shtoi më tej se, Trump nuk kishte pse të vinte në Moskë për t’u takuar me prostituta, ndërkohë që ishte organizator i eventeve më të mëdha të bukurisë, ku mund të takohej me “femrat më të bukura në botë”.

Më herët, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ishte shprehur se ish-spiuni britanik i kishte përgatitur ato materiale si të ishte “një hajdut në arrati i MI6”, referuar agjencisë së shërbimeve sekrete britanike. Christopher Steele, i cili drejton një firmë agjenture në Londër, ka qenë një prej agjentëve më të vlerësuar kur punonte për “MI6”. Ndërkohë, agjencitë amerikane të kundërzbulimit i konsideruan këto pretendime si mjaftueshmërisht të rëndësishme, sa për të informuar të dy presidentët: atë në largim Obama dhe atë të zgjedhur Trump.

Në një tjetër zhvillim, po gjatë së martës, Lavrov është shprehur se Moska është e gatshme të bisedojë me Trumpin për armët bërthamore dhe Sirinë, duke thënë se dy vendet së bashku mund të zgjidhin shumë prej problemeve madhore të botës.

Lavrov, duke folur vetëm pak ditë nga përurimi i Trumpit si president, shfrytëzoi një konferencë të përvitshme për të përcaktuar fushat potenciale të bashkëpunimit, si dhe për të minimizuar atë që ai e quajti si përpjekje dashakeqëse për ta lidhur Trumpin me Rusinë me sfond negativ.

Top Channel