Brexit, Hammond “kërcënon” BE: Kthejmë Britaninë në parajsë taksash

15/01/2017 00:00

Nëse do të përpiqeni të na “lëndoni” në negociatat e Brexit-it, ne edhe mund ta kthejmë Britaninë në një parajsë taksash.

Mbretëria e Bashkuar do të bëjë çdo gjë që të mundet për të rifituar konkurueshmërinë nëse i mohohet një marrëveshje e denjë tregtare.

Ky paralajmërim i fortë për Europën vjen nga ministri britanik i Financave, Philip Hammond, pikërisht në kohën kur kryeministrja Theresa May përgatitet të paraqesë planet e saj të shkëputjes nga Brukseli.

“Britania e Madhe mund të detyrohet të ndryshojë modelin e saj ekonomik nëse lihet jashtë tregut të përbashkët pas largimit nga blloku. Qeveria nuk do të flejë mbi dafina, por do të bëjë ç’është e mundur që vendi ynë të mbetet konkurrues”, Philip Hammond, ministër i Financave në qeverinë britanike.

Reporteri i një gazete gjermane e kishte pyetur Hammond nëse Anglia do të kthehej në parajsë fiskale duke i ulur akoma më shumë taksat e korporatave.
Rivalet politike thanë se deklaratat e ministrit tingëllojnë si “recetë për lufte tregtare me europën”. 

Qarkullojnë disa raporte sipas të cilave May do të sinjalizojë në strategjinë e saj të Brexit-it largimin nga tregu i përbashkët dhe unioni doganor me qëllim rifitimin e kontrollit mbi emigracionin.

“Downing Street” megjithatë është distancuar nga të tilla pretendime duke i cilësuar ato ‘thjesht spekullime’.

Top Channel