Abbas në Selinë e Shenjtë: Plani i Trump mund të cënojë paqen

14/01/2017 00:00

Lideri palestinez Mahmoud Abbas ka paralajmëruar se paqja në Lindjen e Mesme mund të cënohet nëse presidenti i zgjedhur i Amerikës, Donald Trump, zbaton planet për të lëvizur ambasadën amerikane në Izrael nga Tel Avivi në Jeruzalem.

Këtë deklaratë Abbas e ka bërë gjatë ceremonisë së përurimit të ambasadës palestineze në Vatikan, pas takimit kokë më kokë me Papa Françeskun.

“Nëse ky është vendimi i tij, atëherë kjo nuk do të ndihmojë procesin e paqes, ndaj ne shpresojmë që të mos ndodhë”, tha Abbas për mediat.

Sipas tij, plani do të minojë shanset për arritjen e një marrëveshjeje me dy shtete, në kuadër të të cilës Palestina dhe Izraeli do të jetonin ngjitur me njëri-tjetrin. Vatikani njohu Palestinën si shtet një vit e gjysmë më parë.

Statusi i Jeruzalemit është një nga çështjet më të ndjeshme dhe më komplekse në të gjithë konfliktin në Lindjen e Mesme. Palestinezët e shohin Jeruzalemin lindor si kryeqytetin e së ardhmes së tyre, por Izraeli pretendon sovranitetin e të gjithë qytetit si kryeqytetin e tij.

Papa Françesku ka mbështetur vazhdimisht lëvizjet për rifillimin e bisedimeve të paqes. Marrëdhëniet mes Selisë së Shenjtë dhe territoreve palestineze u ngritën në vitin 2015, me firmosjen e një traktati për njohjen e shtetit palestinez, lëvizje kjo që acaroi Izraelin.

Marrëdhëniet mes shtetit hebre dhe Vatikanit u dëmtuan edhe më tej kur Papa e cilësoi presidentin Abbas si “një ëngjëll të paqes” gjatë ceremonisë së kanonizimin të dy murgeshave palestineze në vitin 2015.

Top Channel