Qipro, Erdogan: Asnjë tërheqje të plotë trupash, nëse Greqia s’e bën këtë

13/01/2017 00:00

Shpresat për ribashkimin e ishullit të Qipros janë rritur së tepërmi pas diskutimeve të zhvilluara së fundi mes qipriotëve turq dhe atyre grekë në Gjenevë gjatë kësaj jave. Megjithatë, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan është shprehur se tërheqja e plotë e forcave turke “është jashtë çdo diskutimi”, për sa kohë që Greqia nuk bie dakord për të bërë të njëjtën gjë.

Pikërisht çështja e qëndrimit të trupave turke në Qipron veriore pas ribashkimit të ishullit është një nga ngërçet që mbeten për t’u zgjidhur në bisedime. Banorët e vendit ishullor janë ndarë që prej vitit 1974. Mes problematikave për arritjen e një marrëveshjeje është edhe kthimi i pronave për dhjetëra mijëra qipriotë, të cilët u larguan nga shtëpitë e tyre në vitin 1974.

Turqia mban ende 30 mijë trupa të stacionuara në veriun e ishullit, praninë e të cilave Greqia e kundërshton. Të premten, presidenti i qipriotëve grekë, Nicos Anastasiades përsëriti thirrjen për largimin e trupave turke. Ndërkohë, edhe vet Greqia mendohet se mban rreth 1.000 trupa në jug të ishullit.

Udhëheqësi i qipriotëve turq, Mustafa Akinçi tha se, nëse njëra palë kërkon nga pala tjetër largimin e trupave pa e bërë diçka të tillë edhe vet, kjo do të pengonte një zgjidhje të pranueshme bashkërisht.

Të enjten, ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu tha se diskutimet ishin në një “pikë kritike” dhe se tashmë duhen zhvilluar bisedime mes ekspertëve teknikë.

Takimet pritet të rinisin më 18 janar, me në fokus çështjet e mprehta të sigurisë. Objektivi përfundimtar i tyre është që komunitetet greko-turke të qipriotëve të ndajnë së bashku pushtetin në një federatë prej dy shtetesh.

Çdo marrëveshje që mund të arrihet duhet të fitojë mbështetjen e të dyja komuniteteve, përmes dy referendumeve të ndara. E ndërsa diplomatët duket se japin shenja pozitive për progres, Erdogan tha se Greqia dhe qeveria qipriote e grekëve “ende kanë pritshmëri të ndryshme” nga Turqia. Një tjetër pengesë, sipas tij, është rotacioni i mundshëm i Presidencës së Qipros. Në vend të raportit prej 4 presidentësh nga qipriotët grekë për çdo president të qipriotëve turq, Erdogan thotë se më i përshtatshëm do të ishte raporti 2:1, sërish në favor të grekëve.

Top Channel