Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile po vijon të monitorojë nga afër situatën e krijuar për shkak të kushteve të motit në të gjithë vendin. Sipas informacioneve të fundit, në zonat veriore dhe veri-lindore, të cilat janë prekur nga temperaturat e ulëta dhe reshjet e dëborës, raportohet se nuk ka akse kombëtare të bllokuara.
Qarkullimi i automjeteve kryhet me zinxhirë në disa rrugë.
QARKU KUKËS – Reshjet e dëborës kanë vijuar edhe mëngjesin e sotëm. Të gjitha akset kombëtare janë përgjithësisht të qarkullueshëm pa zinxhirë si rezultat i punës së kryer nga 6 firmat kontraktore per mirembajtjen e rrugeve. Policia Rrugore ka monitoruar në vijueshmëri qarkullimin e automjeteve duke udhëzuar sipas rastit drejtuesit e mjeteve të përdorin zinxhirë në segmentet rrugorë problematike. ‘Rruga e Kombit’ është e qarkullueshme pa zinxhirë. Lartësia e dëborës ka arritur deri në 25 cm në Tunelin e Kalimashit. Akset rrugore Kukës-Bushtricë, Krumë-Qafë Prushi-Kam, Kukës-Zapod, Bajram Curri-Valbonë, Bajram Curri-Qafë Morinë, Bajram Curri-Qafë Luzhë janë të qarkullueshme pa zinxhirë. Akset Kukës-Krumë, Fushë Dukagjin-Qafë Shllak jane te qarkullueshme pjesërisht me zinxhirë.
QARKU SHKODËR – Gjatë natës dhe në mëngjes në Pukë ka pasur reshje bore në lartësinë mbi 500 m. Të gjitha akset kombëtare janë të qarkullueshëm pa zinxhirë si rezultat i punës së kryer nga 13 firmat kontraktore. Ne akset Vau Dejës-Koman-Pukë-Fushë Arrëz, Fushë Arrëz-Qafë Mali-Qafë Shllak, Qafë Mali-Dardhë-Fierzë, Qafë Mali-Iballë, automjetet qarkullojnë me zinxhirë. Ne akset Bardhok-Iballë, Shkodër-Bregu i Lumit, Bogë-Theth, janë të pakalueshme ndërsa Vau Dejës-Shllak, Tamarë-Vermosh kalimi bëhet me vështirësi me zinxhirë. Drejtoria e Emergjencave Civile ka dërguar 1 borëpastruese dhe 1 fadromë, të cilat do të jenë në dispozicion të Bashkisë Pukë dhe Fushë Arrëz.
QARKU DIBËR – Gjatë ditës së djeshme dhe sot në mëngjes ka pasur reshje të dobëta shiu dhe reshje bore që kanë arritur trashësi rreth 10-12 cm. Të gjitha akset kombëtare janë përgjithësisht të qarkullueshëm pa zinxhirë si rezultat i punës së kryer nga 4 firmat kontraktore. Akset rrugore që lidhin zonat urbane me zonat rurale janë kryesisht të kalueshme me zinxhirë. Policia Rrugore ka monitoruar në vijueshmëri qarkullimin e automjeteve duke udhëzuar sipas rastit drejtuesit e mjeteve të përdorin zinxhirë në segmentet rrugorë problematike.
Në qarqet e tjera të vendit nuk raportohet për probleme.
Top Channel