Mosul, nis faza e dytë e sulmit nga forcat irakiane

29/12/2016 00:00

Forcat irakiane, sipas zyrtarëve vendas, kanë nisur valën më të fundit të sulmeve kundër të ashtuquajturit Shtet Islamik në bastionin e tyre Mosul. Trupat janë duke u fokusuar në zonat lindore të qytetit, në atë që konsiderohet si “faza e dytë” e sulmit për rimarrjen e qytetit, zonës së fundit madhore nën kontrollin e xhihadistëve në Irak.

Fushata ushtarake shënon kështu edhe fundin e një përgjumjeje të luftimeve gjatë javëve të fundit. Kjo për faktin se forcat irakiane ndeshën një rezistencë më të ashpër që prej hyrjes fillestare në periferitë lindore të Mosulit, muajin e kaluar.

Komandanti i forcave speciale në lindjen e Mosulit, Abdul-Ëahab al-Saadi tha për “Associated Press” se ofensiva ka nisur pasi trupat janë përforcuar ndjeshëm. E pas sulmit të parë në nëntor, tashmë trupat irakiane të antiterrorizmit po tentojnë të futen në Karama. Sipas tij, trupat ushtarake janë më pak se 3 km larg lumit Tigër, që ndan qytetin.

Të hënën, ura e fundit që kishte mbetur funksionale mbi këtë lum, u prish nga një sulm ajror i koalicionit të udhëhequr prej Shteteve të Bashkuara. Pamjet video të postuara nga agjencia xhihadiste e lajmeve “Amaq” treguan pikërisht shembjen e një seksioni të urës së vjetër.

Mosuli kishte vetëm 5 ura funksionale përpara se forcat proqeveritare të nisnin sulmin për rimarrjen e qytetit. Ndërkohë, OKB ka paralajmëruar se shkatërrimi i tyre mund të pengojë procesin e evakuimit të më shumë se një milion civilëve të bllokuar atje.

Top Channel