Turqia dhe Rusia, armëpushim kombëtar në Siri

28/12/2016 11:30

Turqia dhe Rusia ranë dakord për një armëpushim kombëtar në Siri. Agjensia e lajmeve turke Anadolu raporton se Moska dhe Ankaraja do të përpiqen të implementojnë armëpushimin në mesnatë, ndërsa mësohet se grupet terroriste janë të përjashtuar nga marrëveshja.

Nëse armëpushimi ka sukses, regjimi dhe partitë e opozitës do të nisin negociatat të drejtuara nga Turqia dhe Rusia në Astana të Kazakistanit. Nuk është ende e qartë nëse ndonjë grup prej rebelëve sirianë ka rënë dakord me armëpushimin. Drafti për armëpushimin kombëtar vjen 6 ditë pasi regjimi sirian mori kontrollin e qytetit thelbësor të Alepos, një kthesë masive e luftës civile 6-vjeçare.

Dhjetëra mijëra njerëz u evakuuan nga Alepoja lindore pas disa pakteve të negociuara nga Turqia dhe Rusia. Alepoja kontrollohej prej 4 vitesh nga rebelët dhe humbja e këtij territori e ka bërë opozitën ushtarake dhe politike ndaj regjimit Asad gjithnjë e më të vështirë, për të mos thënë të pamundur. Pas marrjes së Alepos, Presidenti rus Vladimir Putin tha se armëpushimi kombëtar ishte hapi i radhës për të zgjidhur konfliktin.

Top Channel