Turqi, nis gjyqi ndaj 29 policëve “puçistë”. 21 rrezikojnë burgim të përjetshëm

27/12/2016 00:00

Në Turqi kanë nisur gjyqet ndaj policëve të akuzuar se janë përpjekur të rrëzojnë qeverinë. 29 oficerët e parë kanë dalë përpara një gjyqi të zhvilluar në ambientet e një burgu, të cilët do të përballen me akuzat për përpjekjen e dështuar të grushtit të shtetit në korrik.

Ky i kësaj të marte është edhe gjyqi i parë i zhvilluar ndaj të akuzuarve si “puçistë”, e që po zhvillohet në Stamboll që prej ngjarjes së 15 korrikut të këtij viti. Turqia ka arrestuar rreth 40 mijë njerëz dhe ka shkarkuar nga puna shumë më tepër, pasi disa fraksione të ushtrisë dhe policisë u përpoqën të rrëzonin presidentin Recep Tayyip Erdogan.

Për grushtin e dështuar të shtetit, autoritetet turke akuzojnë klerikun mysliman që jeton në ekzil të vetimponuar, në SHBA, Fethullah Gulen. Ky i fundit ka mohuar akuzat, por presidenti turk vazhdon të paralajmërojë se lëvizja gyleniste është ende aktive në Turqi.

Vrasja e ambasadorit rus, Andrei Karlov, nga një polic i ndodhur jashtë orarit zyrtar të punës, është lidhur gjithashtu me lëvizjen gyleniste, edhe pse agresori, i cili u vra nga forcat e sigurisë, lëshoi thirrje dhe slogane në lidhje me qytetin sirian të Aleppos në momentin e krimit.

Gjyqi katërditor nisi të martën mes masave të forta të sigurisë në një kompleks tepër të madh burgu në Silivri, në periferi të Stambollit. 21 nga 29 oficerët e policisë rrezikojnë deri në burgim të përjetshëm, nëse shpallen fajtorë për pjesëmarrje në përpjekjen e dështuar për grusht shteti. Të gjithë ata akuzohen se ndjekin Fethullah Gulenin, si dhe për dështimin që të ndiqnin urdhrat dhe të ushtronin detyrën e tyre në mbrojtje të presidentit. Vetëm 8 nga të akuzuarit rrezikojnë dënime më të lehta.

Edhe pse gjyqe të përmasave më të vogla kanë ndodhur në qytete të tjera në Turqi, ky është rasti i parë kaq masiv në qytetin më të madh të vendit. Spastrimi ndaj të dyshuarve gylenistë është përhapur në të gjithë aparatin shtetëror të Turqisë. Kritikët e Erdoganit akuzojnë qeverinë se ka përdorur ngjarjen e 15 korrikut për të goditur kundërshtarët politikë.

Top Channel