Rezoluta ndaj Izraelit, prova për përfshirjen e Obamës

27/12/2016 00:00

Izraeli përshkallëzoi më tej luftën e ndezur me administratën amerikane në largim, me pretendimet se ka prova të qarta se Barack Obama ishte personi pas rezolutës së OKB-së që kritikon politikat izraelite për kolonitë.

Në këtë kuadër, Izraeli kërcënoi se këto prova do ia dorëzojë Donald Trampit. Komentet e fundit vijnë pasi ambasadori amerikan në Izrael, Dan Shapiro u thirr nga kryeministri Benjamin Netanjahu për të shpjeguar pse SHBA nuk përdori veton dhe abstenoi në votimin e Këshillit të Sigurimit. Administrata Obama i mohoi akuzat e vetë Netanjahut, por gjithnjë e më shumë zëra kanë deklaruar për mediat se kanë prova për përfshiren e Obamës në miratimin e rezolutës.

Ata akuzojnë SHBA se kërkoi rezolutën dhe ndihmoi hartimin e saj. Lëvizja e Izraelit për të paraqitur prova për një president në fuqi tek ai që do ta pasojë është e paprecedentë, megjithëse edhe nëse ndodh, zor se ka ndonjë pasojë për Obamën. Por, tregon se kjo lëvizje është pjesë e një strategjie me rrezik të lartë të Netanjahut për të lidhur të ardhmen e Izraelit me një president të zgjedhur dhe të paparashikueshëm republikan, por që nuk kursen mbështetjen për këtë vend.

Më herët, Netanjahu urdhëroi Ministrinë e Jashtme që të kufizojë përkohësisht raportet e punës me ambasadat e 12 vendeve që votuan pro rezolutës. SHBA nuk është mes kësaj liste, një sinjal që Netanjahu i ka tashmë sytë tek administrata e re amerikane.

Top Channel