Rrëzimi i avionit në Rusi, vazhdojnë kërkimet masive

26/12/2016 08:10

Kërkimet masive vazhdojnë pa u ndalur në Rusi, pasi një avion ushtarak me 92 njerëz në bord u rrëzua në Detin e Zi. Rreth 3500 njerëz në anije, avionë, helikopterë dhe nëndetëse janë përfshirë në operacionet e kërkimit pranë qytetit Soçi.

Avioni Tupolev 154, i cili po udhëtonte drejt Sirisë, kishte në bordin e tij ushtarakë, anëtarë të orkestrës së famshme ushtarake Aleksandrov dhe reporterë. Autoritetet ruse thanë se nuk presin që të gjejnë të mbijetuar, por theksuan se kërkimet do të vazhdojnë deri në gjetjen e të gjithë viktimave.

Deri tani, ekipet e kërkimet kanë gjetur 154 pjesë të avionit dhe 11 trupa. Ndërkohë, qeveria ruse e shpalli të hënën ditë zie për të nderuar viktimat e aksidentit. Krahas kërkimeve, autoritetet ruse kanë nisur edhe hetimet për shkaqet e rrëzimit, nga të cilat është përjashtuar pista e terrorizmit.

Zyrtarë rusë thanë se është ende herët të spekulohet mbi arsyet, por ndërsa terrorizmi nuk shihet si mundësi, vëmendja është përqendruar tek një gabim njerëzor apo defekt teknik. Një regjistrim audio i komunikimeve të pilotit me kullën e kontrollit, disa çaste para se avioni të zhdukej nga radarët, tregon se në atë moment ekuipazhi nuk po përballej me asnjë vështirësi dhe se gjithçka dukej në rregull.

Avioni u zhduk nga radarët 2 minuta pasi u ngrit nga qyteti Soçi, ku ishte ulur pas udhëtimit nga Moska për t’u furnizuar me karburant.

Top Channel