Lajmet e rreme përballin fuqitë bërthamore

26/12/2016 10:45

Lajmet e rreme në platformat sociale konsiderohen nga ekspertët si një rrezik gjithnjë e në rritje që mund të ketë pasoja nga më të ndryshmet, që prej zënkave mes njerëzve e deri tek perballje mes kombeve.

Një e tillë u verifikua këtë fundvit, kur një lajm i rremë i publikuar në Twitter shkaktoi një përballje verbale mes dy fuqive bërthamore, pikërisht Pakistanit dhe Izraelit. Konfrontimi ndodhi pas publikimit të një lajmi të pavërtetë në faqen e internetit AWD News. Në të citohej në mënyrë të rreme se ministri izraelit i Mbrojtjes kishte thënë se nëse Pakistani dërgonte trupa në terren në Siri, Izraeli do ta shkatërronte këtë vend me një sulm bërthamor. Reagimi i ministrit pakistanez të Mbrojtjes, Khawaja Mohammad Asif ishte mjaft i qartë dhe ai i kujtoi Izraelit se edhe Pakistani është një fuqi bërthamore.

Ndërsa AWD është identifikuar prej kohësh si një faqe që publikon lajme të rreme, ministria izraelite e Mbrojtjes i kujtoi pikërisht këtë dikasterit homolog në Pakistan, duke i thënë se lajmi nuk është i vërtetë. Pakistani nuk është përgjigjur ende. Izraeli vazhdon të ruajë misterin për forcën e tij bërthamore dhe nuk konfirmon e as mohon që zotëron armë të tilla, megjithëse besohet gjerësisht se ka një arsenal të tillë.

Pakistani u bë fuqi bërthamore në vitin 1998 dhe dy vendet nuk kanë raporte diplomatike.

Top Channel