Australi, policia parandalon komplotin terrorist për Krishtlindje

23/12/2016 00:00

Policia australiane ndali një komplot terrorist, që mund të shkaktonte një masakër në Melbourn ditën e Krishtlindjes. Tre meshkuj u arrestuan të premten dhe akuzohen për terrorizëm.

Sipas policisë australiane, të dyshuarit do të përdornin eksplozivë dhe armë zjarri në sulmin e planifikuar. Mes objektivave të tyre ishin pika referimi të Melbournit, si Katedralja e Shën Palit, sheshi i Federatës dhe stacioni qendror i trenave.

Fillimisht policia arrestoi 6 persona, me dyshimin se po përgatisnin një sulm terrorist, por 3 prej tyre, mes të cilëve një femër, u liruan më vonë. Tre të arrestuarit e tjerë janë identifikuar si Hamza Abbas, 21 vjeç; Ahmed Mohamed, 24 vjeç; si dhe Abdullah Chaarani, 26 vjeç.

Për ta u dha masa e arrestit me burg dhe do të dalin në gjyq prillin e vitit të ardhshëm. Sipas autoriteteve, pas arrestimeve nuk ka më asnjë rrezik për publikun. Autoritetet thanë se të arrestuarit ishin shtetas të lindur në Australi me prejardhje libaneze.

Hetuesi thanë se ata ishin vetëradikalizuar nën ndikimin e propagandës së Shtetit Islamik. Operacioni i policisë u zhvillua në disa zona të Melbournit dhe në të morën pjesë mbi 400 oficerë policie.

Top Channel