Lotaria e Krishtlindjeve, shpërndahen 660 milionë euro

22/12/2016 00:00

Ethet e lotarisë së Krishtlindjeve kanë përfshirë Spanjën ku çdo vit, njerëzit mblidhen me të afërmit, miqtë apo kolegët e punës për të blerë biletat e shtrenjta, të cilat zor se mund t’i përballojnë vetëm.

Çmimi i madh, i njohur si “El Gordo”, apo “I Shëndoshi” e shpërblen fituesin me 400.000 euro për 20 eurot e shpenzuara për vetëm një pjesë të biletës, të njohur si “decimo”.

Jackpoti i këtij viti shpërndan 660 milionë euro mes personave që kanë numrat fitues. Si gjithmonë, janë fëmijët e San Ildefonso ata që lexojnë me zë të lartë numrat e fatit.

Procesi zgjat për orë të tëra. Fillimisht zbulohet fituesi i çmimit të madh dhe më pas nisi raundi i dytë i lotarisë, që korrespondon me dhjetëra apo qindra fitues të shumave të ndryshme.

Lotaria e Krishtlindjeve në Spanjë, një traditë tashmë 200-vjeçare, mbahet çdo vit në 22 dhjetor dhe me mijëra vetë ulen me orë të tëra përpara ekranit të televizorit për të ndjekur fëmijët e San Ildefonso duke tërhequr numrat fitues. Ka dhe nga ata që shortin preferojnë ta shohin live, të veshur në kostume festive apo imituese të dikujt e duke pritur në radhë të gjata për një vend të mirë.

“Siç mund ta shihni, unë jam veshur si Papa. Le ta shohim nëse kostumi i këtij viti do ta bekojë këtë numër e kështu, do të mund të ndihmojmë pak edhe njerëz të tjerë”, tha Jose Manuel Ruiz.

Sipas një studimi të Universitetit të Madridit, mbi 73% e spanjollëve të moshave nga 18 deri në 75 vjeç luajtën në lotarinë e vitit 2015.

Top Channel