Britani, përkufizim zyrtar për antisemitizmin: Do të luftojë urrejtjen

12/12/2016 00:00

Kryeministrja britanike, Theresa May pritet të flasë pak më vonë gjatë kësaj të hëne, duke njoftuar se policia, këshillat, universitetet dhe institucionet e tjera publike mund të përdorin fjalën antisemitizëm sipas përkufizimit zyrtar, i cili nënkupton se fajtorët për urrejtje ndaj hebrenjve do të gjykohen sipas tij.

Aleanca ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit (IHRA) shpreson që përkufizimi i fjalës antisemitizëm, i cili është rakorduar këtë vit, do të adoptohet globalisht. Sipas përkufizimit, antisemitizmi nënkupton “një perceptim të caktuar ndaj hebrenjve, që mund të shprehet si urrejtje ndaj tyre”.

Më tej thuhet se, “manifestimet retorike dhe fizike të antisemitizmit u drejtohen hebrenjve apo individëve jo hebrenj dhe pronave të tyre, institucioneve të komunitetit hebraik dhe mjediseve fetare”.

“Downing Street” njofton se, duke adoptuar këtë përkufizim ndërkombëtar do të sigurohemi se njerëzit nuk do të mund t’ia hedhin lehtë me faktin e të qenit antisemit, për shkak se termi ka qenë përkufizuar keq, ose për shkak se organizata e trupa të ndryshme kanë interpretime të ndryshme për të.

Aleanca “IHRA”, që mbështetet nga 31 vende, përfshi Britaninë e Madhe, Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Gjermania, përcaktoi përkufizimin zyrtar se çfarë konstituon abuzimi antisemit në muajin maj. Grupi thotë se duke pasur një “përkufizim pune ligjërisht të detyrueshëm” do t’u ofrojë vendeve “mjetin politik” për t’u përballur me krimin e urrejtjes ndaj hebrenjve.

Deputetët konservatorë dhe i dërguari i posaçëm për çështjet e periudhës post-Holokaust, Sir Eric Pickles, tha për “BBC”-në se përkufizimi i ri “përqaset me antisemitizmin modern”. “Mendoj se është e rëndësishme të mos shkrihen së bashku termat popull hebre me Izraelin, pasi kjo është edhe pika kyçe e përkufizimit”.

Policia në Britani, aktualisht e përdor një version të përkufizimit të këtij termi. Gjithsesi, nga ky moment, përkufizimi zyrtar do të përdoret edhe nga trupat e tjera, përfshi këshillat.

“Do të kemi një përkufizim të antisemitizmit në thelb, gjuhë dhe sjellje, që tregon urrejtje kundrejt hebrenjve vetëm pse ata janë të tillë. Kushdo që do të shpallet fajtor për këtë qasje do të gjykohet pikërisht mbi bazën e këtij përkufizimi”, pritet të thotë Theresa May. “Është e papranueshme që të ekzistojë ndjenja antisemite në këtë vend, madje është edhe më keq fakti që incidentet me këtë natyre janë duke shënuar rritje”.

Javën e kaluar, një person që abuzoi me ndjenjat antisemite gjatë një fushate “online” të deputetes laburiste, Luciana Berger, u dënua me dy vite heqje lirie.

Zhvillimet e fundit vijnë pasi CST-ja, një grup për sigurinë e komuniteteve, tha se numri i incidenteve antisemite në Britani është rritur me 11 për qind nga janari deri në qershor të këtij viti, më konkretisht nga 500 raste për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar në 557 raste sivjet.

Top Channel