Boshatisen fshatrat e Këlcyrës

07/12/2016 00:00

Banorët e fshatrave rreth Këlcyrës po e braktisin me shpejtësi jetën rurale. Zonat e Malëshovës, Doshnicës, Ballabanit dhe Sukës, të njohura për natyrën e rrallë, prodhimet blegtorale, vreshtarinë, bimët medicinale, mjaltin dhe ujërat, gjatë dimrit popullohen vetëm nga 30% e banorëve.

Një çift të moshuarish, që punojnë si shitës ambulantë në pazarin e Këlcyrës, thonë se fshati i tyre është pothuajse i boshatisur.

“Nuk kishte asgjë për të mbjellë dhe ikën njerëzit. Rrugë jo, ujë jo… nuk jetohej dot më”, tregon i moshuari.

Mungesa e infrastrukturës është një ndër shkaqet kryesore të largimeve. 46 prej 52 fshatrave të Bashkisë së Këlcyrës nuk kanë rrugë dhe 7 prej tyre nuk kanë as ujësjellës.

“Shumë familje këtu janë me asistencë dhe shumë familje nuk i dedikohen punës. E kanë braktisur komunën për një jetë më të mirë”, shprehet mësuesi Vladimir Naçi.

Ndërsa Riza Allamani, nënkryeyar i Bashkisë Këlcyrë, deklaron: “Pjesa më e madhe e rrjetit rrugor është tejet e amortizuar. Gjithashtu, reshjet sjellin pengesa në qarkullimin e njerëzve e sidomos të nxënësve në fshatra që duan të shkojnë në shkollë. Ky është shqetësimi ynë kryesor. Mbi 50% e fshatrave të bashkisë rrezikojnë të izolohen nga mungesa e rrugëve”.

Bashkia e Këlcyrës, me një popullsi të regjistruar prej rreth 12 500 banorë, gjysma prej të cilëve janë ende në shtëpitë e tyre, trajtohet me një grant minimal qeveritar. Gjatë 25 viteve të fundit janë asfaltuar vetëm 2 akse dytësore rurale prej rreth 50 të tilla që janë të amortizuara.

Top Channel