Parkimi në Tiranë, nis aplikimi i kartave për shërbim falas

04/12/2016 00:00

Bashkia e Tiranës ka nisur shpërndarjen e kartës së rezidentit në zonat ku parkimi mbetet një problem kritik, ndërsa do të vijojë me të tjera rrugë deri në brendësi të lagjeve periferike.

Kjo kartë identifikuese, përvojë e re për Shqipërinë, por e ngjashme me disa shtete anëtare të Bashkimit Europian, do të përmbajë targën e automjetit, afatin e vlefshmërisë së pullës, numrin serial dhe numrin e zonës. Të dhëna që do të vërtetojnë adresën e banimit për çdo individ, për të garantuar parkim të sigurt dhe falas në të gjitha rrugët që i përkasin çdonjërës prej 24 njësive administrative.
 
Kjo kartë do t’i sigurojë rezidentit hapësirë parkimi në ¼ të sipërfaqes, brenda zonës ku është rezident, me përjashtim të rrugëve kryesore ku përcaktohet sistem tarifimi.
 
Paralelisht me shpërndarjen e kartës së rezidentit, Bashkia po vazhdon punën për vijëzimin me ngjyrë blu të një pjese të rrugëve që do të tarifohen kundrejt pagesës. Sistem parkimi që për banorët e zonës do të jetë falas, ndërsa për vizitorët me pagesë. Siç parashikohet edhe në relacionin e vendimit të Këshillit Bashkiak, të miratuar në nëntor të vitit 2015, karta e rezidentit është një pullë e personalizuar, që do të ngjitet brenda xhamit në pjesën e përparme të makinës.

Top Channel