Të krishterët nën genocid. ISIS përndoqi dhe vrau komunitetin kristian në Mosul

21/11/2016 00:00

Në tokat biblike të Irakut, krishterimi është në rrezik prej ISIS-it. Për ndjekësit e këtij besimi në qytetin verior të Bartella-s, jeta që kishin njohur deri atëherë, ndaloi brutalisht verën e vitit 2014.

Shteti Islamik u ul këmbëkryq në zonë ku vuri nën sundimin e tij Mosulin, qytetin e dytë dhe dikur më të shumëllojshëm të vendit. Shtëpitë e të krishterëve u shënuan me ekuivalentin arab të shkronjës “N” , e para e fjalës përçmuese “Nazarene”.

Altoparlantët e xhamive të Mosulit gjëmonin ultimatumet e xhihadistëve gjakësore: largohuni deri në 19 korrik nëse doni të shmangni vdekjen, ose përballuni me konvertimin e detyruar në fenë islame.

Eksodi i shtyrë prej tmerrit zbrazi qytetin nga të krishterët, jazidit dhe minoritetet e tjera fetare. Një dekadë më parë, në Mosul jetonin 35.000 të krishterë. Sot numërohen vetëm 20 apo 30 vetë. Të shumtë ishin ata që braktisën shtëpitë e tyre në Bartella e u larguan me rrobat e trupit të shpëtonin kokën.

Priftërinjtë që kanë folur me disa prej këtyre njerëzve, kanë dëgjuar prej tyre histori konvertimesh të detyruar, rrahjesh mizore, përdhunimesh e vrasjesh. Në fushat biblike të Nineveh-së, të krishterët, thotë CNN, e gjeten veten duke jetuar si refugjatë. Territori i pushtuar nga ISIS-i është i izoluar prej botës së jashtme, por përhapjen e fjalëve mbi egërsinë e tij dhe fushatën e shkatërrimit të monumenteve e zonave historike, grupi militant nuk arriti ta ndalonte.

Një prej objekteve të vyera të kultit të kthyera në gërmadhë ishte manastiri 1.400 vjeçar i Shën Elijas pranë Mosulit, më i vjetri i krishterë në Irak.

Nuk ishte e vështirë për besimtarët e kësaj feje të kuptonin se Shteti Islamik kërkon çrrënjosjen e komunitetit të krishterë autokton të vendit e fshirjen e çdo gjurme të civilizimit të tij 2.000 vjeçar, ndaj dhe nuk çuditet që ashtu si për jazidit, bota edhe për ata po e përdor termin “genocid”.

Top Channel