Stamboll, shpërthen bomba në motoçikletë. Plagosen 10 persona

06/10/2016 00:00

Shpërthimi më i fundit që trondit Stambollin ndodhi në lagjen “Yenibosna”, në pjesën lindore të tij, jo shumë larg Aeroportit “Ataturk”. Një motoçikletë e mbushur me eksploziv është hedhur në erë përpara një komisariati policie.

Të paktën 10 vetë mbetën të plagosur, njëri nga të cilët, siç pohoi në “Tëitter” guvernatori Vasip Shahin, është në gjendje kritike për jetën. Policia u vu në kërkim të personit që është parë të largohet nga zona e sulmit, pasi kishte vendosur aty motoçikletën që do të shpërthente pak më vonë.

Banorët kanë mbetur të tronditur.

“E lëvizëm time shoqe nga banesa. Shtëpia është dëmtuar shumë. Shumë e vështirë është kjo situatë”, tha Ozgun Bektas, banor i zonës.

“Unë isha dy blloqe më larg, por shpërthimi ishte mjaft i fortë, u dëgjua shumë. Në fillim mendova se mos zhurma erdhi nga aeroporti”, tha Aytac Ernesim, banor.

Askush nuk e ka marrë për momentin përgjegjësinë e sulmit. Shpërthimi i fundit në Stamboll ishte ai i muajit qershor, kur 45 persona humbën jetën nga sulmi i trefishtë kamikaz në aeroport. Atentati i atëhershëm rezultoi vepër e Shtetit Islamik.

Pati disa sulme gjatë verës në pjesë të tjera të Turqisë, më i fundit, ai i muajit gusht në Gaziantep, kushtoi 50 jetë njerëzish. Autorësia e një pjese të goditjeve që ka marrë vendi kohët e fundit i është ngarkuar luftëtarëve të ISIS-it, ndërsa faji për disa të tjera ka rënduar mbi militantët kurdë.

Top Channel